Kryetari i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, ka kritikuar ashpër presidentin Thaçi, pasi ky i fundit në urimin për përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut, e quajti Perandorinë Osmane si pushtuese.
Ky term, sipas Kelmendit, godet rëndë Turqinë e Erdoganin, duke e ditur se presidenti turk e kishte pritur me nderime të larta shtetërore presidentin Thaçi.
Madje, Kelmendi flet në superlativ për shtetin turk, duke thënë se Turqia ka qenë prej të parëve që ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Por, duket se Kelmendit i janë përzier përvjetorët e heroit të shqiptarëve, pasi ndonëse Thaçi e ka përkujtuar Skënderbeun në ditën e vdekjes, Kelmendi ka thënë se Thaçi ia ka uruar ditëlindjen.
Përtej kësaj deputeti Kelmendi, ka krahasuar homazhin e presidentit për përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut me homazhet që Thaçi i ka bërë viktimave serbe.
“Unë dhe shumë qytetarë të Kosovës e dimë mirë pse e ke uruar ditëlindjen e Skënderbeut, pse po përkulesh para varrezave serbe ku shkruan se janë të vrarë nga ‘terroristët shqiptarë’. Por nuk të ka hije, je President i një vendi për të cilin është derdh shumë gjak, dhe mos e shkatërro këtë vend për interesa personale”, ka shkruar Kelmendi në Facebook.
Duke folur për Turqinë, ai ka thënë se “nëse i referohemi termit të ‘pushtues’ për Perandorinë Osmane, pjesë përbërëse e kësaj perandorie kanë qenë shumë shqiptarë”.
“ Sipas jush ne i kemi vet-pushtuar trevat tona”, ka shkruar Kelmendi.
Deputeti i njohur për qëndrimet e tija radikale të bazuara në fenë islame, ka kritikuar presidentin se përkundër pritjes që iu bë në Turqi nga presidenti Erdogan, ai po e godet keq Erdoganin.
“ E goditët keq Erdoganin, e goditët keq Turqinë dhe gjithë ata shqiptarë që perandorinë osmane nuk e cilësojnë pushtuese”, ka shkruar Kelmendi. /Insajderi.com