Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami, ka hedhur akuza në drejtim të kryetarit të OVL së UÇK-së, Faton Klinaku. Sipas tij, Klinaku në të kaluarën ka qenë i lidhur me pushtetin dhe se shpesh herë “ia kanë lagur fytin”.
Bajrami ka thënë se në kohën kur ka pas migrim në Kosovë, kreu i OVL-së nuk ka reaguar njëjtë.
Sipas deputetit të VV-së, kërcënime të tilla po ndodhin kur Kosova e ka rritjen më të madhe ekonomike e uljen e skandaleve korruptive.
“Të them të drejtën, kam pasur disa mendime në veten time që i kam trajtuar për çështjen e Fatonit, që i pashë kërcënimin që e ka bërë. Mundohesha që ta merrja seriozisht edhe pse kërcënimi është serioz por në asnjë rast nuk munda ta ndaj mendjen a ta marr seriozisht kërcënimin e një individi si Faton Klinaku, domethënë atij nuk i është dëgjuar zëri kurrë në të kaluarën kur në pushtet kanë qenë ata të cilët nga pak edhe ia kanë lagur fytin”, ka thënë ai.
“Tash që në pushtet është kryeministri Kurti, një person i tillë mund të thotë ndoshta gjëra edhe më skandaloze se që ka thënë por përveçse prokuroria që duhet t’i marrë seriozisht këto çështje, unë për vete e kisha të vështirë për shkak se unë më shumë e shoh si një lloj rrezikimi për sojin e tij, jo për Kosovën, domethënë Kosovën e kanë lëshuar deri në 200 mijë persona për një herë, për një vit, kurrë Faton Klinaku nuk ka thënë duhet të ngritemi e ta vrasim atë kryeministër, por tash që është zoti Kurti kur e kemi zhvillimin më të madh ekonomik, rritjen më të madhe ekonomike, numrin më të madh të të punësuarve, numrin më të ulët ndonjëherë të skandaleve e të korrupsionit ndodhë që Faton Klinaku e kërcënon kryeministrin”, ka thënë tutje Bajrami.
Deklarimet e Klinakut, Bajrami i quan joserioze dhe se sipas tij ka përfunduar koha kur pushteti frikësohej nga kërcënimet e tilla.
“… domethënë për mua është mesazh i qartë por prapë se prapë kërcënimet e individëve si Faton Klinaku dhe të atyre që e përkrahën gjatë këtyre ditëve nuk bënë të merren seriozisht ose duhet tua bëjmë me dije që nuk ua ka kush frikën, kështu që ata mund të vazhdojnë ta thonë zëshëm por që nuk ka mbetur më kryeministër e as ministër e as deputet nga pozita që u frikësohet individëve si puna e tij sepse nuk përbëjnë as rrezik”, ka thënë ai.
Deputeti i Vetëvendosjes, e ka involvuar edhe Partinë Demokratike të Kosovës, për të cilën thotë se temat i ngritë përmes Faton Klinakut.
“Duket që sa herë PDK-ja do të ngrisë një çështje e ka shumë të lehtë që ta ngrisë përmes Faton Klinakut dhe shokëve të tij. Por edhe në të kaluarën edhe kur soji i Faton Klinakut dukej kritikues ndaj qeverisë në fund përfundonte në listën e PDK-së dhe që kjo me gjasë bëhej me qëllim që ta nxisnin ish-luftëtarin e luftës që ta votojë një si Fatonin e ish-kryetarët e OVL-UÇK-së, por që në fakt shihet qartë se nga zyret e UÇK-së është shumë më lehtë të dërgohet një mesazh në OVL-UCK e ata ta thonë në publik”, u shpreh Bajrami.