
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu, ka akuzuar partitë opozitare për bllokimin e konstituimit të Kuvendit, duke e quajtur të pajustifikuar kërkesën e Nismës Socialdemokrate për postin e kryeparlamentarit.
Sipas saj, Nisma, e cila ka vetëm tre deputetë, nuk ka fuqi politike të mjaftueshme për një kërkesë të tillë, sidomos kur brenda Vetëvendosjes ka deputetë nga GUXO dhe Alternativa – dyfish më shumë në numër – të cilët nuk kanë kërkuar asnjëherë këtë pozitë.
“Ne duhet të arrijmë në një standard kur partitë politike duhet të kërkojnë varësisht të fuqisë politike që e kanë. Në këtë rast mendoj se është gabim që një subjekt politik i cili i ka tre deputetë të kërkoj të marrë postin e kryeparlamentarit, ndërkohë që ne brenda LVV-ja kemi deputetë të cilët janë nga GUXO dhe Alternativa e që është dyfishi i numrit të deputetëve që i ka NISMA dhe të cilët nuk kanë kërkuar asnjëherë të marrin postin e kryepalamentarit’’, tha Kryeziu për rtv21.