
Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka konfirmuar se të shtunën pasdite do të zhvillohet një takim mes kryetarit të kësaj partie, Fatmir Limaj, dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Qëllimi i takimit është gjetja e një zgjidhjeje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, i cili deri më tani ka dështuar në 48 përpjekje për konstituim.
Izmaku tha: Ne qëndrojmë me kërkesën tonë – që mendojmë se është e arsyeshme – për pozitën e kryetarit të Kuvendit. Votat i kemi. Nëse propozohet emri i Fatmir Limajt, atëherë të hënën mund të konstituohet Kuvendi.
Ajo shtoi se, ndonëse nuk ka sinjale të qarta nga Vetëvendosje, “ekziston një ambient pozitiv”, por “situata është e paparashikueshme.”
Ndërkohë, Fatmir Limaj u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani, e cila ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik, afat i përcaktuar nga një aktgjykim i mëparshëm i kësaj gjykate (rasti KO124/25).