Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar për ndalimin 48-orës të L.F., të dyshuar për veprën penale “vrasje e rëndë”.
Në njoftim thuhet se B.V. ishte raportuar si i zhdukur nga familjarët e tij, ku më pas është gjetur i pajetë trupi i tij. Prokuroria e ka dërguar në mbajtje L.F. për këtë rast.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, të dyshuarin me iniciale L.F., për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas hetimeve të ndërmarra nga ana e hetuesve rajonal të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është arritur të identifikohet dhe ndalohet i dyshuari L.F., lidhur me rastin kur fillimisht një person me inicialet B.V., është raportuar i zhdukur nga familjarët e tij dhe sot më datën 05 Shkurt 2025, është gjetur trupi i pajetë i të ndjerit B.V., në malet e fshatit Manastirc të komunës së Ferizajt.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë (IML).
Prokuroria Themelore në Ferizaj në koordinim me Policinë, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së gjitha rrethanave lidhur me këtë çështje penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt. /Insajderi.org/