Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se i nxehti afrikan do të vazhdojë mbi vendin tonë edhe gjatë pesë ditëve të ardhshme.
Të hënën është paraparë të ketë mot me diell e vranësira të shpërndara. Temperaturat maksimale do të arrijnë deri 33 gradë Celsius.
Mot i ngjashëm do të mbajë edhe të martën, ku temperaturat maksimale do të arrijnë në 32 gradë Celsius, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.
Edhe të mërkurën moti do të jetë me diell e vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të sillen mes 13-16 gradë Celsius e maksimalet mes 27-31 gradë Celsius.
Të enjten do të ketë mot me diell e vranësira të nivelit të mesëm, të cilat në vende-vende do të sjellin riga shiu.
“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-31 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-4m/s”, tha Instituti.
Të premten moti do të jetë me diell e pjesërisht i vranët.
“Kushtet biometeorologjike do të jenë të kufizuara për shkak të temperaturave të larta dhe indeksit UV të lartë. Rekomandohet që në intervalin kohorë 10-16 mundësisht mos të ju ekspozohemi rrezeve direkte të diellit ,sepse ky mot është i papërshtatshëm për një shtresë të popullatës me sëmundje kronike. Të bartim masa mbrojtëse, syze dielli , rroba me ngjyra të lehta, kapelë ose ombrellë”, tha Instituti.