![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 21 mars 2024 ka ngritur aktakuzë në rastin “Subvencionet V” ndaj 18 të akuzuarve lidhur me keqpërdorimet me subvencione, duke i ngarkuar me veprat penale “Ushtrim ndikimi”, “Mashtrim me subvencione”, “Marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të akuzuar në këtë rast janë tetë zyrtarët: Kujtim Zariqi, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Kastriote Bajrami-Sejdiu, Aferdita Gjokaj, Adushe Ukshini, Valon Hoti dhe Bejtullah Pira. Si dhe 10 qytetarët: Burim Selmani, Granit Avdyli, Valdete Ismaili, Feriz Jonuzi, Faruk Ymeri, Avdullah Terstena, Blerton Ostergllava, Avdyl Sejdiu, Muzafer Maliqi dhe Alban Novosella.
Për çka akuzohen zyrtarët shtetërorë dhe qytetarët tjerë?
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Kujtim Zariqi më 20 janar 2020 në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, në cilësinë e inspektorit teknik të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), kishte kërkuar dobi pasurore prej 20 mijë euro nga i akuzuari tjetër Burim Selmani që të ushtrojë ndikim në mënyrë që të shpallet fitues në projektin “Zgjerimi i objektit dhe investimet në pajisje për përpunim, paketim dhe ambalazhim”.
Me këto veprime, Zariqi po ngarkohet për veprën penale “Ushtrim ndikimi” nga neni 424, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në pikën dy të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Burim Selmani me datë dhe vend të njëjtë si Zariqi, ka pranuar t’i japë dobi pasurore këtij të fundit prej 20 mijë që të ushtrojë ndikim në vendimin e AZHB-së, që të jetë përfitues i projektit “Zgjerimi i objektit dhe investimet në pajisje për përpunim, paketim dhe ambalazhim”.
Me këto veprime, Selmani po ngarkohet për veprën penale “Ushtrim ndikimi” nga neni 424, paragrafi 2 i KPRK-së.
Më pikën tre të aktakuzës, thuhet se Selmani nga 12 prilli 2020 deri më 21 maj 2020 me qëllim të përfitimit të projektit të lartpërmendur, kishte mashtruar duke paraqitur makineritë e përdorura si të reja dhe gjatë aplikimit kishte paraqitur dokumente fiktive, mbi bazën e të cilave përfitoi kundërligjshëm grantin.
Me çka, Selmani po ngarkohet edhe me veprën penale “Mashtrim me subvencione” nga neni 324, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Në pikë katër të aktakuzës, thuhet se Luan Statovci dhe Sadat Shkodra më 18 shkurt 2021 dhe më 22 shkurt 2021 në Prishtinë në AZHB, Statovci si drejtor për pagesa direkte dhe Shkodra si zyrtar për pagesa, kishin kërkuar dhe pranuar ryshfet nga e akuzuara Kastriote Bajrami-Sejdiu për t’ia mundësuar të akuzuarit Alban Novosella t’i hiqet lënda nga lista e zezë për përfitimet nga AZHB. Aktakuza thotë se Shkodra pranoi 1 mijë euro ryshfet, ku 500 euro ia dorëzoi Statovcit.
Prandaj, për këto veprime Statovci dhe Shkodra po ngarkohen me veprën penale “Marrje ryshfeti” nga neni 421, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Tutje, në pikën pesë të aktakuzës, thuhet se e akuzuara Bajrami-Sejdiu me datë dhe vend të njëjtë, u jep ryshfet Shkodrës dhe Statovcit, duke mundësuar që për Novosellën të ndryshohen të dhënat e aplikimit lidhur me njësitë për bletari dhe të hiqet lënda e tij nga lista e zezë.
Me këtë, Bajrami-Sejdiu po ngarkohet për veprën penale “Dhënie ryshfeti” nga neni 422, paragrafi 2 të KPRK-së.
Në pikën e gjashtë të aktakuzës, fillimisht thuhet se e akuzuara Afërdita Gjokaj si zyrtare në Drejtorinë për Bujqësi të Komunës së Kllokotit, i kishte mundësuar të Novosellës përfitimin e kundërligjshëm të subvencionit përmes dokumentit të falsifikuar rreth deklarimit të njësive të bletëve, duke dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerën prej 4 mijë e 234 euro e 50 centë.
Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar” nga nenin 414, paragrafi 1 i KPRK-së.
Pika shtatë e aktakuzës, sërish ngarkon të akuzuarit Statovci dhe Shkodra, ku thuhet se përmes të akuzuarës Adushe Ukshini nga e akuzuara Valdete Ismaili pranojnë ryshfet shuma të ndryshe parash duke i mundësuar Ismailit përfitim të subvencioneve.
Me këtë, Statovci dhe Shkodra po ngarkohen sërish për veprën penale “Marrje ryshfeti” nga nenin 421, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Ndërkaq në pikën tetë të aktakuzës, thuhet se Adushe Ukshini dhe Valon Hoti gjatë shkurtit të vitit 2021 në cilësi të inspektorëve në terren kishin pranuar ryshfet nga e akuzuara Ismaili, që të njëjtës t’i mundësohet përfitimi i subvencioneve. Po ashtu, sërish Ukshini dhe Hoti më 5 nëntor 2020 si inspektorë në terren thuhet se kishin pranuar ryshfet nga i akuzuari Terstena në atë mënyrë që t’i mundësohet përfitimi i subvencioneve.
Aktakuza thotë se më 16 nëntor 2020 sërish Ukshini dhe Hoti si inspektorë të terrenit pranojnë ryshfet nga i akuzuari Ostergllava që edhe këtij t’i mundësohet përfitimi i subvencioneve kundërligjshëm. Ukshin dhe Hoti po ashtu ngarkohen se më 18 nëntor 2020 kishin pranuar ryshfet nga i akuzuari Jonuzi që t’i mundësohet përfitimi i subvencioneve.
Të njëjtit, thuhet se në nëntor të 2020-ës si inspektorë terreni kishin pranuar ryshfet nga i akuzuari Granit Avdyli duke i mundësuar edhe këtij përfitim të subvencioneve.
Me këto veprime, Prokuroria po i ngarkon Ukshinin dhe Hotin se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Marrje ryshfeti” nga nenin 421, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.
Aktakuza në pikën e nëntë ngarkon Adushe Ukshinin dhe Bejtullah Pirën se në nëntor të 2020-ës si inspektorë të terrenit pranojnë ryshfet shuma të ndryshme parash nga i akuzuari Faruk Ymeri duke i ndihmuar për përfitimin e subvencioneve.
Tutje, aktakuza thotë se në nëntor 2020 sërish si inspektorë, Ukshini dhe Pira pranojnë ryshfet nga i akuzuari Muzafer Maliqi që t’i mundësohet edhe këtij ndihma për përfitim të subvencioneve. Në periudhën e njëjtë, thuhet se Ukshini dhe Pira pranojnë ryshfet por tash nga i akuzuari Avdyl Sejdiu për t’i ndihmuar në përfitimin e subvencionit.
Për këto veprime, Ukshini dhe Pira po ngarkohen se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Marrje ryshfeti” nga neni 421, paragarfi 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.
Aktakuza e PSRK-së në pikën 10-të thotë se i akuzuari Granit Avdyli gjatë muajit nëntor të vitit 2020, në fshatin Begrac, Komuna e Vitisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ushtron ndikim tek të akuzuarit Valon Hoti dhe Adushe Ukshini me qëllim që t’i ndihmojnë përfitimin e subvencionit në emër të fermeres Elmije Avdiu.
Me këto veprime, i akuzuari Avdyli ka kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi” nga neni 424, paragrafi 2 të Kodit Penal.
Tutje, në pikën e 11-të të aktakuzës thuhet se e akuzuara Valdete Ismaili, gjatë muajit shkurt 2021, në Viti dhe Ferizaj, me qëllim të përfitimit të subvencioneve për kultura bujqësore dhe blegtori, iu jep para ryshfet të akuzuarve Luan Statovci, Sadat Shkodra, Adushe Ukshini dhe Valon Hoti.
Me këto veprime, e akuzuara Valdete Ismaili ngarkohet se ka kryer veprën penale “Dhënie ryshfetit” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Në pikën e 12-të së njëjtës aktakuzë, thuhet se i akuzuari Feriz Jonuzi më 18 nëntor 2020, në Radivojcë të Vitisë i jep para ryshfet të akuzuarve Adushe Ukshini dhe Valon Hoti, zyrtarë në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, i cili kishte aplikuar për përfitim të subvencioneve për dele.
Me këto veprime, i akuzuari Feriz Jonuzi akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënie ryshfeti” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në pikën e 13-të, thuhet se i akuzuari Faruk Ymeri, gjatë muajit nëntor 2020, me qëllim të përfitimit të subvencioneve i jep para ryshfet të akuzuarve Ukshini dhe Pira, inspektorë të AZHB-së në rajonin e Gjilanit, ku kishte aplikuar për përfitim të subvencioneve për krerë të lopëve.
Me këto veprime, i akuzuari Ymeri ngarkohet se ka kryer veprën penale “Dhënie ryshfeti” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Kurse në pikën e 14-të, thuhet se i akuzuari Avdullah Terstena më 5 nëntor 2020, në fshatin Stanqiq të Gjilanit, me qëllim të përfitimit të subvencioneve i jep ryshfet zyrtarëve të AZHB-së Ukshini dhe Hoti, ngase kishte aplikuar për përfitim të subvencioneve për blegtori.
Me këto veprime, i akuzuari Terstena ngarkohet se ka kryer veprën penale “Dhënie ryshfeti” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Në pikën e 15-të të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Blerton Ostergllava më 16 nëntor 2020 në Pozharan të Vitisë, me qëllim të përfitimit të subvencioneve, i jep para ryshfet të akuzuarve e Ukshini dhe Hoti, inspektorë në AZHB.
Me këto veprime, i akuzuari Ostergllava akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënie ryshfeti” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Ndërsa, pika e 16-të ngarkon të akuzuarin Avdyl Sejdiu se gjatë muajit nëntor të vitit 2020, në Uglar të Gjilanit, me qëllim të përfitimit të subvencioneve, iu jep para ryshfet të akuzuarve Ukshini dhe Pira, inspektorë të AZHB-së në Rajonin e Gjilanit.
Me këto veprime, i akuzuari Sejdiu ngarkohet se ka kryer veprën penale “Dhënie ryshfeti” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Në pikën e 17-të të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Muzafer Maliqi gjatë muajit nëntor 2020, në fshatin Cërnicë, me qëllim të përfitimit të subvencioneve iu jep para ryshfet të akuzuarve Ukshini dhe Pira, ku kishte aplikuar në emër të djalit të tij, Fidan Maliqi “AN-DI” dhe familjares Nehale Maliqi, për përfitim të subvencioneve.
Me këto veprime, i pandehuri Muzafer Maliqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënie ryshfeti” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Kurse, pika e 18-të e aktakuzës ngarkon Alban Novosellën se më 29 korrik 2020, në Kllokot, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, në mënyrë të kundërligjshme ka bërë mashtrim me subvencione, duke paraqitur të dhëna të pasakta, në atë mënyrë që fillimisht ka deklaruar rrejshëm se ka 80 shoqëri bletësh, ndërsa me rastin e kontrollit më 27 nëntor 2020, inspektorët në procesverbal konstatojnë se posedon vetëm 25 shoqëri bletë. E më pas, mbi bazën e dokumentit të falsifikuar është hequr lënda e tij nga lista e zezë dhe pasi e akuzuara Bajrami-Sejdiu jep ryshfet, i njëjti ka përfituar kundërligjshëm subvencionin.
Me këto veprime, i pandehuri Novosella ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi me subvencione” nga neni 324, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Ndryshe, lidhur me mashtrimet me subvencione, janë zhvilluar dhe po zhvillohen edhe disa procese të tjera gjyqësore, të njohura si “Subvencione 1”, “Subvencionet 2“, “Subvencione 3”, “Subvencione 4”.