
Meteorologu Mendim Rugova parashikon mot shumë të nxehtë për ditën e premte, me kthjellime dhe diell.
Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 15°C dhe 18°C, ndërsa maksimalet gjatë ditës do të arrijnë deri në 35°C – 37°C, në disa zona lokalisht deri në 38°C. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare nga veriperëndimi me shpejtësi 2-6 m/s.
Gjatë fundjavës moti mbetet i nxehtë, megjithëse të shtunën temperaturat maksimale do të zbresin në 33°C – 35°C. Do të ketë zhvillime vransirash, që pasdite dhe në mbrëmje mund të sjellin rrebeshe shiu dhe bubullima, kryesisht në zonat malore.
Nga dita e hënë pritet rikthim i motit kryesisht me kthjellime dhe diell, me temperatura që do të arrijnë përsëri 35°C – 37°C. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare nga krahu verior me shpejtësi 4-10 m/s, ndërsa nga dita e diel do të ndryshojë drejtimin në jugore dhe jugperëndimore.