Një raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit ka analizuar listën e pritjes, për të cilën në vazhdimësi ka pasur ankesa nga kosovarët. Ka gjetur se në disa klinika pritja për një operim shkon deri në 2 vite e 8 muaj. Auditori i Jashtëm fajin ia hedh edhe Ministrisë, por edhe ShSKUK-së. Periudha e auditimit është nga 2019-2023, periudha që në pushtet ishte Qeveria Kurti I pak Qeveria Hoti dhe prapë Kurti II
Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer auditimin e performancës me temën “Listat e pritjes në institucionet shëndetësore publike”.
Raporti i auditimit ka si objektiv vlerësimin e masave të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar për të siguruar trajtim efikas të pacientëve që ndodhen në listat e pritjes, duke përfshirë shpërndarjen e burimeve dhe mënyrën e regjistrimit dhe monitorimit të këtyre listave.
Sipas auditorit, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar nuk kishin ndërmarrë masa të mjaftueshme për të siguruar trajtimin efikas të pacientëve në listat e pritjes.
Klinikat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, të cilat kanë lista të pacientëve që presin
kohë relativisht të gjatë për të marrë një shërbim janë:
“Klinika e Kirurgjisë Vaskulare me mbi 2,000 pacientë në listë të pritjes që presin mesatarisht 2.8 vite deri sa të marrin shërbimin; Klinika e Ortopedisë, me afër 1,300 pacientë, më shumë se dy vite pritje; Klinika e Oftalmologjisë me 1,120 pacientë, 6-7 muaj pritje Klinika e Kardiologjisë8 rreth 3,000 pacientë, pritje mbi një vit, Klinika e Radiologjisë, me mbi 2,500 pacientë në pritje deri në gjashtë muaj; Klinika e Kardiokirurgjisë – me afër 50 pacientë në pritje 2-3 muaj, kohëve të fundit është zgjatur koha e pritjes bërë deri në 4-6 muaj”, thuhet në gjetjen e ZKA-së.
Ndërkaq, shtatë spitalet rajonale, ku pacientët presin kohë më të shkurtë krahasuar me ata të klinikave.
“Shpërndarja e burimeve, si ato njerëzore dhe materiale, ishte e pashembullt dhe mungesa e një sistemi të centralizuar për regjistrimin e pacientëve në listat e pritjes ka ndikuar negativisht në transparencën dhe saktësinë e informacionit“, vijon raporti.
Gjendja e shpërndarjes së burimeve ka krijuar vonesa dhe pengesa për pacientët.
Në veçanti, sipas ZKA-së klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale nuk janë efikase në trajtimin e kërkesave të qytetarëve për trajtim mjekësor.
“Kapacitetet e sistemit janë të kufizuara, sidomos për sa i përket infrastrukturës dhe pajisjeve, dhe në disa raste edhe materialeve mjekësore”.
ZKA thotë se nuk është bërë shpërndarje e harmonizuar mes burimeve njerëzore dhe materiale sepse numri i mjekëve specialistë është në mospërputhje në raport me infrastrukturën dhe pajisjet që janë në dispozicion në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
“Si shembull, numri i ortopedëve në raport me sallat operative është 9 me 1, dhe në klinikën e kardiologjisë (kardiologjia invazive) është 8 me 1, ndërsa në spitale rajonale këto shërbime nuk ofrohen fare. Po ashtu angazhimi i mjekëve nuk është i njëjtë sepse disa mjekë janë më aktiv me operacione krahasuar me kolegët e tyre mjekë”.
Auditimi ka identifikuar gjithashtu mangësi të menaxhimit të listave të pritjes, pasi nuk ka një sistem të centralizuar dhe të formalizuar regjistrimi, çka ndikon në saktësinë e të dhënave. Kjo ka krijuar mundësi për manipulime dhe dhënie të shërbimeve shëndetësore jo të drejta.
Si shembull në njërën nga klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka mjekë që kryejnë rreth 500 operacione në vit ndërsa ka nga kolegët e tyre që kryejnë vetëm një operacion në vit.
Sipas këtij raporti, gjendje të ngjashme kanë gjetur në së paku katër klinika.
Kapaciteti i kufizuar dhe pajisjet e vjetruara pengojnë trajtimin në kohë
Auditimi ka identifikuar mungesë të anesteziologëve në veçanti, që i ofrojnë shërbime të gjitha klinikave kirurgjike e kjo mungesë për pasojë i redukton kapacitetet operative të klinikave.
“Ka raste kur pajisjet janë të vjetruara gjë që ndikon në efikasitetin e trajtimit të pacientëve nga listat e pritjes. Po ashtu menaxhimi jo i duhur i furnizimit me material mjekësor dhe pamjaftueshmëria e materialit pengojnë trajtimin me kohë të pacientëve”.
Çka tjetër?
Zyra Kombëtare e Auditimit ka përmendur edhe një rast të furnizimit me proteza totale të gjurit dhe të kërdhokullës, të cilat janë të disponueshme vetëm në klinikën e ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa spitalet rajonale nuk furnizohen me to.
Situatë e ngjashme është edhe sa i përket furnizimit me thjerrëza të syrit, ku vetëm klinika e oftalmologjisë është e furnizuar, ndërsa spitalet rajonale furnizohen vetëm me sasi simbolike.
Sipas tyre, këto kufizime prekin më së shumti pacientët që kërkojnë trajtim jo urgjent.
Ndërsa pacientët e urgjencës dhe ata të shtruar në spital marrin trajtim më të shpejtë.
Një problematik tjetër është mungesa e transparencës dhe praktikat e vjetruara pengojnë menaxhimin e listës së pritjes.
Mungesa e një sistemi të centralizuar të regjistrimit të pacientëve në Spitalet e Kosovës
Në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, mungesa e një sistemi të centralizuar dhe formal për regjistrimin e pacientëve në lista të pritjes ka krijuar një sërë vështirësish dhe problematikash në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Pasiguria dhe mungesa e saktësisë në të dhënat për pritjet
Për shkak të mënyrës aktuale të regjistrimit, janë të pamundura të sigurohen të dhëna të sakta për procesin e pritjes, çka ndikon në planifikimin dhe menaxhimin efikas të shërbimeve.
Në disa spitale rajonale, edhe listat e pritjes janë të paqarta ose nuk mbahen fare, duke krijuar mundësi për keqpërdorim të burimeve dhe manipulime të procesit.
Një tjetër problematik është përkeqësimi i Shërbimeve për pacientët elektiv dhe rritja e pritjeve
Mungesa e një sistemi të qartë regjistrimi ndikon në pritjet e gjata dhe ndonjëherë në trajtim të vonuar për pacientët elektiv (ato që kanë probleme shëndetësore që mund të presin për trajtim).
Ndërkohë, pacientët me urgjencë dhe ata që janë të hospitalizuar kanë mundësi për trajtim më të shpejtë, por kjo krijon një hendek mes grupeve të pacientëve që kërkojnë shërbime të shëndetit.
ZKA ka theksuar nevojën për një sistem të qartë dhe të standardizuar të regjistrimit.
“Për të përmirësuar këtë situatë, është e nevojshme të krijohet një sistem i centralizuar dhe i standardizuar i regjistrimit të pacientëve që do të mundësonte një menaxhim më të mirë të listave të pritjes dhe shmangien e keqpërdorimeve të mundshme”.
Ky sistem mund të rrisë transparencën dhe efikasitetin në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, duke siguruar që pacientët të trajtohen në mënyrë më të drejtë dhe të shpejtë.
Për të përmirësuar këtë situatë, janë dhënë disa rekomandime për Ministrinë e Shëndetësisë dhe për Bordin Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar.
“Për të përmirësuar gjendjen aktuale ne kemi dhënë 3 rekomandime për Ministrinë e Shëndetësisë dhe 10 rekomandime për Bordin drejtues/drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar”.
Përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar Menaxhmenti i Ministrisë dhe i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar është pajtuar me gjetjet dhe konkluzionet e auditimit dhe është zotuar se do t’i zbatojnë rekomandimet e dhëna.
/Insajderi