“Dërrasa u thye, nuk kishin helmeta e as litar” , Prokuroria në Gjakovë jep detaje se për çka i do në burg biznesmenët Pozhegu e Margegaj - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Dërrasa u thye, nuk kishin helmeta e as litar” , Prokuroria në Gjakovë jep detaje se për çka i do në burg biznesmenët Pozhegu e Margegaj

    Insajderi
    22 July 2025 - 16:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Themelore e Gjakovës ka kërkuar 30 ditë paraburgim ndaj dy biznesmenëve që janë arrestuar pas vdekjes së dy punëtorëve në vendin e punët në Gjakovë.

     Xheladin Pozhegu dhe Albert Margegaj janë dy biznesmenët nga Gjakova të cilët po dyshohen për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

    Sipas njoftimit të prokurorisë, dy biznesmenët nuk kanë ofruar siguri në vendin e punës duke mos instaluar pajisjet mbrojtëse dhe në mungesë të tyre, është shkaktuar dhe vdekja e dy viktimave.

    Sipas kërkesës së prokurorisë, dy viktimat kanë qenë duke shkelur në një dërrasë e cila ishte montuar jashtë kushteve teknike. Gjatë punës, dërrasa është thyer dhe viktimat kanë rënë nga kati i tretë, në lartësi prej 9 metrave.

    Po ashtu, në kërkesë thuhet se viktimat nuk kanë pasur të ngjitur jelek dhe helmeta mbrojtëse e as nuk kishin të vendosur litar për siguri.

    “Viktimat derisa ishin duke punuar në ndërtimin e objektit banesor përkatësisht kishin qenë në shkelësen e dërrasës së montuar jashtë kushteve teknike duke bërë demolimin e dërrasave të jashtme të betonit për një moment dërrasa shkelëse thyhet dhe të njëjtit bien nga kati i tretë, në lartësinë nga toka prej nëntë (9)metra, të cilët gjatë punës nuk kishin jelek dhe helmeta mbrojtëse e as nuk kishte të vendosur litarin për siguri, si dhe vendi nga ku kanë rënë viktimat nuk kishte skele të vendosura e as parmak mbrojtës që nuk do të lejonte që punëtorët të bie në tokë, me ç’ rast si pasojë e rrëzimit në vendin e punës dhe lëndimeve të marra të dy kanë humbur”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.

    Në këtë rast, kompania e Xheladin Pozhegut “Ndërmarrje Tregtare Shërbyese Shefqet SH.P.K.” është si investitor, derisa firma “MIA Group” shpk e Margegajt është punekryesi në terren.

    Insajderi raportoi dje se dy viktimat e këtij aksidenti tragjik janë Hazir Jakupi, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Daut Bajraktari.

    Të dy viktimat janë rreth moshës 50-vjeçare.

    Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Inspektorati i Punës. Në reagimin e tyre thuhet se subjekti ku ndodhi aksidenti ishte gjobitur më herët për shkelje të përsëritura të ligjeve të punës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark