Pas rikthimit të tij në sallën e gjyqit të mërkurën, për ta vazhduar dëshminë që e nisi të hënën, dëshmitari Kurtesh Fondaj deklaroi se është keqpërdorur, me ç’rast kërkoi edhe një avokat për mbështetje.
“Unë dje pasdite i kam pa në incizimet që janë prezantu nga gjykata dhe i kam përcjellë me vëmendje dhe sidomos marrja në pyetje nga gjyqtari më ka ba me mendu që me kërku një avokat, respektivisht për një mbështetje nga një avokat se po mendoj se jam keqpërdor”, tha dëshmitari.
Më pas, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III e pyeti dëshmitarin nëse e ka bërë një kërkesë të tillë.
“Po e kërkoj prej juve të ma ofroni ndihmën e një avokati”, u përgjigj dëshmitari Fondaj.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, nuk është ngritur asnjë pretendim se dëshmitari ka kryer ndonjë krim dhe se nuk është përgjigjur në ndonjë formë që si rrjedhojë ta ketë inkriminuar veten.
“Zotëri Fondaj, e kuptoj që keni biseduar me Zyrën Administrative dhe i keni shprehur shqetësimet tuaja. Ne i kuptojmë shqetësimet tuaja tani unë do t’i përgjigjem disi pretendimeve tuaja. Që të caktojmë një avokat ne për dëshmitarin duhet të ketë arsye të forta që dëshmitari mendon se po e inkriminon veten dhe mendon se po e akuzojnë se është kryerësi i një krimi. Ky nuk është rasti ynë. Në asnjë moment nuk është ngritur ndonjë pretendim, je një person i nderuar. Askush nuk ka pretenduar që keni kryer krim apo që jeni përgjigjur në ndonjë formë që t’iu ketë inkriminuar në ndonjë formë”, tha kryetari i trupit gjykues.
Si rrjedhojë, gjyqtari e njoftoi dëshmitarin se kërkesa e tij për një avokat është rrëzuar.
“Po ashtu, jeni shqetësuar për pyetjet e gjykatësve, sipas rregullores sonë, gjykatësit mund t’iu drejtojnë pyetje dëshmitarëve gjatë procesit gjyqësor. Ju jeni këtu thjesht për ta thënë të vërtetën, për t’iu përgjigjur pyetjeve me aq sa mundeni. Ne e kuptojmë që është stresuese kjo situatë dhe ne e vlerësojmë faktin që keni ardhur dhe që po bëni të pamundurën. Ne do të vazhdojmë. Ne të kemi edhe disa pyetje dhe shpresojmë që të mbarojmë sa më shpejtë, në mënyrë që të largoheni. Kështu që, kërkesa e juaj për një avokat në këtë moment rrëzohet”, tha Charles Smith III.