Dëshmitari serb, Zoran Stankoviq tha se në kohën kur pretendon se është arrestuar dhe ndaluar së bashku me vëllanë e tij nga pjesëtarët e armatosur të UÇK-së, ka menduar se do t’i vrasin.
“Mendova se do të na vrisnin”, tha dëshmitari, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së viktimave përmes avokates, Maria Radziejowska, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai përshkroi lëndimet fizike të cilat i kishin pësuar, duke thënë se i kishin duart e lidhura pas shpine e sytë e mbuluar. Stankoviq tha se pjesëtarët e UÇK-së i kishin rrahur me dërrasa e zinxhirë.
“Na kishin lidhur duart pas shpine, sytë e mbuluar dhe pas një kohe filluan të na rrihnin me dërrasa dhe zinxhirë. Na goditën në të gjitha pjesët e trupit dhe pastaj një mik i babait tim u ndalua aty, ai quhej Ferik kishte veshur uniformë të zezë dhë kur hyri në dhomë ku neve po na keqtrajtonin, ai njohu edhe vëllanë tim edhe mua edhe u tha personave që po na rrihnin…”, tha dëshmitari.
Por, dëshmitari u ndërpre nga mbrojtësja e viktimave, duke i kërkuar që të flas vetëm për pasojat fizike që kishte pasur ai.
“M’u thyen tre brinjë dhe më nxinë gjithë trupin. Gjithë trupin e kisha të nxirë, të paktën gjysma e trupit”, tha dëshmitari.
Maria Radziejowska i tha dëshmitarit se kishte deklaruar se pas keqtrajtimit anëtarët e UÇK-së i kishin dërguar të laheshin, por ai dhe vëllai i tij kishin vështirësi që të ecnin.
Stankoviq tha se janë dashur dy muaj që të ecte, duke shtuar se kishte traumë psikologjike që zgjati me vite.
“Më janë dashur dy muaj. Kisha edhe traumë psikologjike që zgjati me vite”, tha dëshmitari.
Më pas ndërhyri avokatja, duke kërkuar seancë private me arsyetimin për siç tha ‘mbrojtjen e identitetit të dëshmitarit’.
Pasi u hap seanca, dëshmitari pohoi se pas ndalimit në konviktet në Gjilan, ishte larguar nga Kosova për të mos u kthyer më. Ai shtoi se familja e tij e cila jetonte aty që nga Lufta e Dytë Botërore ishte larguar pas tre muajsh nga ai rast.
“Ishte shumë e vështirë, ishte shumë e vështirë dhe shumë hidhur. Në njëfarë mënyrë, shpirti më mbetet në vendin e lindjes. Vendi ku ke lindur është i vetmi vend që njeh dhe është shumë e vështirë që ta lësh mbrapa”, tha dëshmitari.
Më kaq përfunduan pyetjet e Maria Radziejowska për të vazhduar më pas mbrojtja e Thaçit përmes avokates, Sophie Menegon.