Gjatë dhënies së dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Fatmir Sopi e ka quajtur hero të gjallë ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili po qëndron në bankën e të akuzuarve me ish-krerët e tjerë të UÇK’së.
Ai këtë deklarim e bëri kur iu kërkua nga prokuroria që të identifikojë personat që shiheshin në një fotografi të përbashkët me Thaçin, Rrustem Mustafën dhe Salih Mustafës, shkruan Insajderi.
“Të nderuarin presidentin tonë-heroin e gjallë, Hashim Thaçin dhe krah tij shoh komandantin tonë të respektuar, Rrustem Mustafën”, tha Sopi duke treguar që në atë fotografi përveç Thaçit dhe Remit, ishte vetë ai dhe Salih Mustafa.
Dëshmitari tha se ka atë fotografi e kishte parë për herë të parë në seancë përgatitore, ndonëse fotografia nuk u shfaq në transmetim.
Sopi është shprehur me emocione edhe për ish-kryeparlamentarin Krasniqi, të akuzuar nga Specialja.
“Kjo çka pash më ngjall emocione, sepse ma kujton zëdhënësin e UÇK’së, njeriu i cili jepte zë dhe jepte shpirt dhe zemër çdo luftëtari, të nderuarin Jakup Krasniqin, i cili në cilësinë e ministrit bën një vizitë në shtabin e Zonës Operative të Llapit”, deklaroi Sopi.
“E vërtetë që është Jakup Krasniqi dhe nuk do ta doja ta shihja kurrë në këtë sallë dhe në këtë gjendje”, vijon deklarimi i tij. /Insajderi.org/