Dëshmitari Arsim Salihu ka deklaruar se një person i ka ofruar shtëpi për të dëshmuar kundër të akuzuarve në rastin ku Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajli ngarkohen se me dashje dhe në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta M.I, në maj 2019.
Këtë deklarim dëshmitari Salihu e ka thënë për herë të parë të premten në Gjykatën Themelore në Gjilan, ku është mbajtur vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor në rastin e kthyer në rigjykim nga Supremja pasi Themelorja i kishte dënuar të akuzuarit me 71 vjet burgim kurse Apeli ua kishte zbritur dënimin në 60 vjet burgim.
“E. ka ardhur dhe më ka ofruar shtëpi para se me ia fillu seancat gjyqësore dhe atë pas vdekjes së rahmetlisë”, ka deklaruar Salihu, shkruan në procesverbalin e seancës së 20 dhjetorit 2024, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitari thotë se refuzoi ofertën për shtëpi për faktin se dëshironte të dëshmonte vetëm të vërtetën.
“…fjalët “nuk ki shpi ti, a po don me maru shpi”, dhe unë i thash se në kësi mënyra nuk më vyn, se me akuzu dikë dhe me marrë dikë në qafë nuk më vyen shpia”, ka thënë tutje dëshmitari.
Salihu ka shtuar se këto deklarata nuk i ka thënë në seancat e kaluara, as nuk i ka njoftuar mbrojtësit e ta akuzuarve dhe as Policinë e Prokurorinë.
“Jo se më ka ardhur keq prej atynve e arsyeja pse e thash sot është se kur mora vesh që edhe këta janë dënuar aq fortë e atyne nuk iu erdh keq dhe për këtë arsye po deklaroj sot”, ka shtuar më tej dëshmitari derisa gjatë deklarimit në gjykatë ka thënë se e ka parë Besmir Ismajlin e gjakosur teksa e ka goditur tashmë të ndjerin.
Ndaj këtij deklarimi ka pasur vërejtje prokurori Isuf Sadiku, i cili në fillim të seancës e ka kundërshtuar propozimin e mbrojtësve të të akuzuarve që të dëgjohet dëshmitari Salihu.
Ndërkohë, gjatë dëshmisë, Salihu e ka përmendur se edhe e dëmtuara B.I. i kishte thënë se nuk je duke folur drejtë derisa thotë se i është përgjigjur, duke i thënë se më së miri e di se kush e ka goditur të ndjerin pasi ka qenë afër tij.
Në këtë seancë kanë munguar dëshmitarët e Prokurorisë, të dëmtuarit dhe përfaqësuesi i familjes së të ndjerit, avokati Besnik Berisha, i cili e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të marrë pjesë në seancë për shkak të problemeve shëndetësore.
Më 21 mars 2022, Gjykata Themelore në Gjilan i kishte dënuar Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajlin, me 71 vite burgim (së bashku). Kurse, Edmond Ismajli ishte liruar nga akuza.
Gjykata e Apelit ua kishte zbutur dënimin në 60 vjet burgim. Por shkalla e tretë, e kishte kthyer lëndën në pikën zero për pesë të akuzuarit., të cilët ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 17 dhjetorit 2019.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, në nëntor të 2019-ës, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajli, me arsyetimin se të njëjtit, në maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, Komuna e Vitisë, me dashje dhe në bashkëkryerje, për motive pasurore-pronësore, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin M.I.
Sipas aktit akuzues, kjo ka ndodhur në atë mënyrë që të akuzuarit fillimisht shkojnë për të punuar në pronën kontestuese, e cila gjendet në afërsi të shtëpisë së tani të ndjerit M.I, me këtë rast ky i fundit me familjarët e tij dalin për të biseduar lidhur me arritjen e një marrëveshjeje, për çka këta të fundit refuzojnë, e që më pas vazhdojnë me fyerje, të cilat sjellin eskalimin e situatës deri në konflikt fizik.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit me mjete të forta si drunj dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar gërvishtje dhe gërvishtje lëkurore, për çka i njëjti nga familjarët transportohet në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, e më pas si rast urgjent dërgohet në Qendrën Emergjente të Spitalit Regjional në Gjilan.
Pas kësaj, sipas aktakuzës, i ndjeri transferohet në QKUK në Prishtinë, ku edhe konstatohet vdekja e tij si rezultat i gjakderdhjes masive në kokë, e shkaktuar nga përdorimi i mjeteve të forta.
Në këtë drejtim, sipas prokurorisë, të akuzuarit në fjalë kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.6, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
Tutje sipas aktit akuzues, i pandehuri Edmond Ismajli, për shkak të një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor me përdorimin e atëçastshëm të dhunës, në kohë dhe vend si në dispozitivin e parë, me dashje u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet dhe Fisnik Ismajlit, në atë mënyrë që gjatë kacafytjeve, me një lopatë i godet të dëmtuarit dhe u shkakton atyre ndrydhje të indeve.
Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme deri me tre vite burgim. /BetimipërDrejtësi/