E dëmtuara në cilësinë e dëshmitares Violeta Aliu-Bislimi, në gjykimin ndaj të akuzuarit Bujar Shabani, drejtor i kompanisë “Bageri”, tha se nuk kishte qenë në dijeni që diploma dhe licenca i ishin përdorur në disa projekte nga kompania në fjalë.
“Momentin e lidhjes se marrëveshjes me Bujar Shabanin kam dorëzuar dokumentet e mija si licenca, diploma. Unë jam njoftuar nga AVONET rreth muajit gjashtë të vitit 2020 dhe jam pyetur se a jeni në dijeni se në disa projekte – tenderë janë përdorur dokumentet e tua, dhe unë iu përgjigja që jo nuk jam në dijeni. Unë nuk e kam ditur që dokumentet e mia janë përdorur në disa projekte nga kompania Bageri”, tha dëshmitarja Aliu-Bislimi
Ajo deklaroi se e njëjta ka filluar të punoi në “Leta” në zyrën e babit të saj në vitin 2012 si gjeodete e licencuar. E njëjta deklaroi gjatë kësaj periudhe tha se kanë pasur edhe bashkëpunime të ndryshme për projekte të ndryshme. Dëshmitarja Aliu-Bislimi tha se diku rreth vitit 2017-2018, kanë pasur bashkëpunuar edhe me kompaninë “Bageri”, në atë mënyrë që kur ka pas nevojë kompania “Bageri” për gjeodet të licencuar ata kanë ofruar shërbimet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo shtoi se më 13 mars 2019 e kishte njoftuar tani të akuzuarin Bujar Shabani, që nuk do të vazhdonte punën bashkë me të dhe më 20 mars 2019 është bërë shkëputja përfundimtare e marrëveshjes mes dy palëve.
“Pas kësaj date, unë menjëherë më datë 27 mars 2019 kam bërë kërkesë në agjension për pezullimin e licencës. Më 28 mars 2019 më kanë konfirmuar që licenca është pezulluar në afat të pacaktuar. Pas kësaj date unë më nuk kam pasur asnjë marrëveshje apo bashkëpunim pasi që kisha vendos të punoj në sektorin publik”, ka thënë dëshmitarja Aliu-Bislimi.
Dëshmitarja Aliu-Bislimi deklaroi se nga AVONET ishte pyetur se “a je e licencuar nga agjensioni kadastral apo jo ?”, e njëjta ishte përgjigjur jo pasi që nuk ishte.
“Unë nuk kam kërkuar sqarim nga Bujar Shabani lidhur me përdorimin e dokumenteve të mija në disa projekte pasi që AVONET kishte filluar procedurat… Pas disa kohesh jam ftuar nga Policia – Departamenti i Krimeve Ekonomike për të dhënë një deklarate ku edhe kam dëshmuar në cilësi të dëshmitares dhe mbetem në tërësi pranë deklarimit tim”, ka deklaruar tutje dëshmitarja Aliu-Bislimi.
Në pyetjen e prokurorit Valdet Avdiu se në tenderin për zgjerimin e rrugës në fshatin Bibaj- kyçja në autostradën “Arber Xhaferi” dhe në projektin asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc a janë përdorur dokumentet e saj me lejen e saj, dëshmitarja tha se nuk ka pasur dijeni fare.
Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Bujqr Shabani, avokati Fitim Shabani, se gjatë kohës që e njëjta ka qenë në marrëdhënie kontraktuale me kompaninë “Bageri” a ka pasur të drejtë kompania që të aplikojë në dosje të tenderit duke iu paraqitur në pozicionin të cilën jeni kontraktuar?, dëshmitarja tha se ka pasur të drejtë para datës 13 mars 2019.
“Unë në cilësi të palës së dëmtuar, i bashkëngjitëm ndjekjes penale dhe parashtroj kërkesë pasurore juridike të cilën do ta realizoj nëkontestin e rregullt civil. Kjo është dëshmia ime dhe nuk kam tjetër se çka të shtoj”, tha në fund dëshmitarja Aliu-Bislimi.
Tutje, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me administrimin e provave, për të cilat mbrojtësi i të akuzuarit avokati Fitim Shabani pati vërejtje.
Sipas aktakuzës së ngritur më 26 prill 2022 nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, në muajin mars të vitit 2019, i pandehuri si pronar i Operatorit Ekonomik NPSH ‘Bageri’, me seli në Ferizaj, me vetëdije kishte shkelë rregullat e prokurimit publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokument të rremë, në atë mënyrë që me rastin e ofertimit në projektin ‘Zgjerimi i rrugës në fshatin Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi’, me numër të prokurimit 656-19-3136-511 dhe ofertimin në projektin ‘Asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc’, me numër të prokurimit 656-19-3386-511, kishte ofruar të dhëna të rreme, përkatësisht kishte falsifikuar kontratat e punës të lidhura me të dëmtuarit Arben Vranovci dhe Violeta Aliu, duke ndërruar përmbajtjen e kontratave të punës.
Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shabani e po ashtu pa lejen dhe dijeninë e të lartcekurve kishte përdorur diplomat e kualifikimit universitar, CV-të, referencat si dhe licencën për kryerjen e matjeve kadastrale në emër të Violeta Aliut, me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit në vendimin e një autoriteti kontraktues në procedurën e prokurimit publik, me ç’rast i njëjti është përzgjedhur si tenderues i suksesshëm duke përfituar projektin trevjeçar ‘Asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc.