Veseli, i shumëpërfolur pas publikimit të listës përfundimtare të 23-futbollistëve të grumbulluar nga Gianni De Biasi – në të cilën ndodhej edhe futbollisti 23-vjeçar, gaboi rëndë në golin e parë të Shqipërisë pasi u inkuadrua vetëm dy minuta para pësimit të golit në të 90’-tën.
Zgjedhja e tij përpara Berat Xhimshitit të Atalantës dhe Amir Rrahmanit të RNK Splitit, ka shprehur shumë pakënaqësi tek tifozët e kombëtares, të cilët kishin dyshime në aftësitë e mbrojtësit të Luganos, i cili ishte paraqitur vetëm dy ndeshje miqësore më parë me kombëtaren.
E paraqitja e tij, nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga mediet e vendlindjes së tij, Zvicrës. Gazeta Neue Zurcher Zeitung ka publikuar listën e dështimeve të kësaj jave në “Euro 2016”, ku në mesin e tyre figuron edhe emri i qendërmbrojtësit, raporton Insajderi.
Ata i referohen edhe deklaratës kontroverse të ish-trajnerit të Romes, Zdenek Zeman, i cili ishte trajneri i Veselit vitin e kaluar.
“Gjatë sezonit të kaluar, Zdenek Zeman ishte trajner te Lugano dhe Veseli ishte një prej futbollistëve të tij. Kur Veseli mori ftesën për në evropian, Zeman komentoi: Jam i lumtur për lojtarin. Por, shqetësohem për Shqipërinë”, shkruan gazeta zvicerane.
Veseli, i cili është kampion bote me 17 vjeçarët e Zvicrës, menjëherë pas ndeshjes me Francën, në konferencë për shtyp nuk e pranoi fajin, teksa fliste për gabimet kolektive të mbrojtjes kuqezi dhe i referohej golit të shënuar nga Griezmann.
“Duhet të jemi të përqendruar më shumë në fund, por gabimet ndodhin, tani duhet të përmirësohemi”, thoshte Veseli për mikrofonat e Supersport, raporton Insajderi.
Mbrojtësi luante me të rinjtë e Manchester Cityt si 16-vjeçar, deri në moshën 20 vjeçare, kur u transferua tek rivali lokal Manchester United me aprovimin e menaxherit legjendar të “Djajve të Kuq”, Sir Alex Ferguson.
“Transferimi i tij erdhi pasi e kapëm muindësinë. Ai ishte liruar nga kontrata me City-n dhe disa skaut të klubit e kishin përcjell dhe më thanë ta transferojmë atë. Shpresoj që ai të bëj mirë tek ne”, thoshte Ferguson në vitin 2012.
Ferguson më pas nuk i dha hapësirë atij në skuadrën e parë, pasi siç kishte treguar edhe Veseli vuite më parë, Ferguson e konsideronte të shkurtër atë për rolin e qendër-mbrojtësit.
Me vetëm 1.83 metra gjatësi, ish-futbollisti i Port Vales dhe Ipswich Toën e ka të vështirë lojën në ajër dhe pozicionimin në qendër të mbrojtjes, pavarësisht shpejtësisë dhe ndërhyrjeve që e karakterizojnë futbollistin e lindur në Renens të Zvicrës.
Ai ka shumë pak shpresa që të startojë në ndeshjen e tretë të kombëtares shqiptare ndaj Rumanisë, nëse Arlind Ajeti do të jetë i gatshëm. /Insajderi.com