Artisti i njohur, Çun Lajçi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti lidhur me kompaninë “Devolli Corporation”, shkruan Insajderi.
Në një shkrim të tij në Facebook, Lajçi ka kritikuar mënyrën e shprehjes së Kurtit, duke thënë se as në kohën e “odave” nuk ishte konsideruar mençuri të flasësh keq për të tjerët për të ngritur veten.
Lajçi ka deklaruar se Shkëlqim Devolli ka ndihmuar në zhvillimin e dukagjinas, duke krijuar mundësi pune për mijëra familje.
“Nuk pate nevojë në Pejën e Begollëve të flisje për “rrotat” e Ibrahim Devollit që ta zhbëje “kodrën” e t’birit, Blerimit, sepse deshte – s’deshte, në fabrikën e tij ushqehen mija familje dukagjinase e neve na duhet punësimi, jo migrimi! Na duhen edhe Shkëlqimi edhe Blerimi, mbase t’jenë edhe pak më shumë dukagjinas, pejonë të ndershëm si baba i tyre, që ndihmoi skamnorët ku mujti e ku s’mujti!”, shkroi Lajçi në Facebook.
Ai ka shtuar se në vend që të flitet negativisht për të tjerë, duhet të fokusohemi në mundësitë e punësimit dhe jo të migrimit.
“Na duhet punësimi, jo migrimi! Na duhet edhe Shkëlqimi, mbase më i zbutur dhe më dukagjinas se sa duket”, ka shkruar Lajçi, duke i bërë thirrje Kurtit të ruajë burrninë dhe fisnikërinë dhe të mos lejojë turmën ta rrëmbejë në vendime të shpejta e të padëshiruara.
Lajçi ka përmendur se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për premtime të mbajtura dhe punësim të vërtetë, duke u larguar nga politika e denigrimeve dhe krahasimeve.
“Mos u merr me shamjet e atyne që i ke kundër, po merru me mjaltin që mëkon shpirtin e njerëzve dhe mbaj premtimet nesër, se ato të 4 viteve të shkuara i harrove pak, ndaj mos i harro këto që po vinë në mandatin tjetër!”.