Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaqi, është liruar sot nga paraburgimi në Serbi, ku ka qenë duke qëndruar që nga mbrëmja e 29 shtatorit. Ai ishte arrestuar nën akuzat se ka dëbuar një familje serbe nga një fshat i Lipjanit pak javë pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Arrestimi i zyrtarit të lartë të policisë shpërfaqi pafuqinë e shtetit të Kosovës karshi Serbisë, teksa as një rezolutë e organit më të lartë të shtetit, Kuvendit të Kosovës, nuk mundësoi lirimin e tij të menjëhershëm.
Në fakt, Kuvendit të Kosovës i janë dashur rreth dy javë kohë pas arrestimit të tij që të thërret një seancë të jashtëzakonshme, ndërsa edhe përfaqësuesve më të lartë të shtetit – presidentit Thaçi, kryeministrit Mustafa e kryeparlamentarit Veseli – i ishin dashur së paku tre ditë që të reagojnë për arrestimin e tij.
Madje, presidenti Thaçi deklarimin e tij të parë e bëri më 3 tetor, pesë ditë pas arrestimit. Ai tha nga Tirana se Kosova nuk mund t’i përgjigjet “arrestimeve me arrestime dhe dhunës me dhunë”.
Arrestimi i Thaqit nga policia serbe është cilësuar si provokim i radhës sepse Serbia nuk ka juridiksion mbi veprat penale të mundshme të kryera në Kosovë.
“Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, ky juridiksion mbi territorin e Kosovës ushtrohet ekskluzivisht nga organet e Republikës së Kosovës”, shpjegonte në seancën e jashtëzakonshme ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.
Por, të martën teksa njoftonte për lirimin e Thaqit nga burgu, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, nuk hezitoi të marrë meritat për lirimin e tij, edhe pse kolonelit të policisë iu deshën më shumë se një muaj qëndrimi në burgjet serbe.
“Kemi përcjell shumë nota të protestës, që të ushtrojnë presion mbi Serbinë që Thaqi t’i kthehet familjes së tij. Si rezultat i partnerëve tanë ndërkombëtar dhe përpjekjeve tona si diplomaci e Kosovës që të mbrojmë interesin e çdo qytetari, ai ka arritur të lirohet”, tha ai në një intervistë për emisionin Info Magazinë.
Në seancën e jashtëzakonshme të kuvendit lidhur me arrestimin e tij, ministri Hoxhaj thoshte se ka pasur informacion se Thaqi do të lirohej vetëm një ditë pas arrestimit.
“Kur është ndaluar zoti Nehat Thaqi, ne kemi pasur informatë që ai do të lirohet ditën e nesërme. Atë ditë kur Gjykata e Lartë në Nish e ka pranuar, ne kemi pritur që ai do të lirohet ditën e nesërme dhe për ne nga ajo ditë e deri në ditën e sotme e dimë që pretendimet të cilat i ka Serbia, e të cilat janë të motivuara politikisht, absolutisht nuk kanë të bëjnë me zotin Nehat Thaqi”, kishte thënë ai në këtë seancë
Megjithëse lirimi i tij kishte vonuar përtej pritshmërisë së MPJ-së, ministri Hoxhaj ngushëllohet se Nehat Thaqi ka pasur “qëndrim dinjitoz” në burg.
Kosova e Serbia janë të përfshira në një dialog për normalizim të marrëdhënieve tash e disa vite në Bruksel, por marrëdhënia mes dy vendeve vazhdon të jetë e vështirë. Policia serbe vazhdon të ketë në efekt fletarreste për qytetarë të Kosovës, përfshirë edhe politikanë. Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ishte ndaluar në Aeroportin e Lubjanës gjatë kthimit nga një vizitë në Gjermani me fletarrest të Serbisë./Insajderi.com