
Mbrëmja e shumëreklamuar që do të mbahej më 13 qershor në “BonBon” të Londrës me reperin e njohur Mozzik si protagonist rezultoi një zhgënjim për fansat.
Në një postim të shpërndarë në InstaStory, Mozzik ka kërkuar publikisht që të gjithë ata që kishin qenë të pranishëm në event, t’i kërkojnë paratë organizatorit “DEventsLDN”. Ai theksoi se ky aktivitet nuk ishte organizuar nga “BonBon” por nga “DEvents”, ndaj dhe përgjegjësia i bie atyre.
“Ju kërkoj falje shumë të gjithëve. Unë erdha për juve nga Kosova, por organizatori ishte me korrektësi 00.00”, tha ai.
Në reagimin e tij, reperi shprehu keqardhje për situatën dhe u zotua se do të rikthehet në Londër, por me organizator tjetër. Ai gjithashtu apeloi që fansat të mos harrojnë të kërkojnë kthimin e pagesave nga organizatori i vetëm që sipas tij kishte faj: @deventsldn.
Për eventin kishte pasur promovim të madh, përfshirë një poster ku Mozzik ishte paralajmëruar si artisti i natës me një performancë që do të zgjaste nga ora 22:00 deri në 04:00 të mëngjesit.