
Për herë të dytë ka dështuar konkursi për pozitën e Drejtorit të Departamentit Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë. Kandidatja që pritej të merrte këtë post, Feride Podvorica, nuk ka arritur të kalojë testin me shkrim, ku minimumi i nevojshëm ishte 50 pikë. Ajo ka përfunduar e treta në listë.
Feride Podvorica, e konsideruar si kandidate e preferuar e ministres Albulena Haxhiu, nuk arriti ta fitoj konkursin ku qëndroi si ushtruese detyre për vite me radhë në këtë pozitë
“Njoftojmë se ka dështuar procedura e konkursit të hapur për pozitën: Drejtor i Departamentit Ligjor, shpallur më 17.03.2025, me afat aplikimi nga 18.03.2025 deri më 16.04.2025, me Nr. RN00017157, për shkak se asnjë nga kandidatët nuk ka arritur të marrë së paku 50 pikë në testin me shkrim,” thuhet në vendimin zyrtar.
Pavarësisht dështimit në Departamentin Ligjor, Podvorica nuk ka mbetur pa një funksion brenda Ministrisë së Drejtësisë.
Muajin e kaluar, ajo është emëruar Drejtoreshë e Departamentit për Mbikëqyrje të Profesioneve të Lira.
Gazeta Insajderi ka ndjekur me vëmendje këtë proces konkursi, detajet e të cilit mund t’i gjeni në linkun më poshtë.
Kujtojmë se edhe në fund të vitit 2023, Podvorica kishte synuar të njëjtën pozitë. Megjithatë, atëherë procesi ishte ndërprerë vetëm dy javë pas raportimit të Gazetës Insajderi mbi dyshimet për lidhje mes një anëtareje të komisionit përzgjedhës, sekretares së Ministrisë dhe vetë kandidates Podvorica.