Aktualisht ka një ndërprerje masive të shërbimeve të Teknologjisë Informative në mbarë botën. Linjat ajrore, dyqanet dhe bankat e ndryshme po përballen me probleme teknike.
Sistemet kompjuterike kanë dështuar në të gjithë botën, raporton BBC.
Aktualisht, aeroplanët nuk mund të ngrihen dhe bankat janë jashtë sistemi.
Arsyeja është me sa duket një përditësim i gabuar në një platformë të sigurisë kibernetike, të quajtur CrowdStrike.
Disa institucione botërore aktualisht po përballen me dështimin e sistemeve të tyre të Teknologjisë Informative. Kompanitë e prekura përfshijnë linja ajrore, aeroporte dhe banka.
Kompania e sigurisë kibernetike tani ka publikuar një manual për dalje nga situata, por departamentet e IT-së duhet ta instalojnë atë manualisht.
Në SHBA, të gjitha fluturimet e avio-kompanive Delta, United dhe American Airlines janë bllokuar aktualisht, sipas raportimeve të mediave amerikane. Po ashtu, mediat amerikane kanë raportuar se thirrja e urgjencës 911 është jashtë sistemit.
Anulime fluturimesh u raportuan edhe në Gjermani, Spanjë dhe Austri. Aktualisht asnjë avion nuk po ngrihet apo ateron në aeroportin e kryeqytetit gjerman BER afër Berlinit.
“Për shkak të një mosfunksionimi teknik, ka vonesa në përpunim. Operacionet e fluturimit do të pezullohen deri në orën 10:00”, tha një zëdhënëse e aeroportit.
Australia thuhet se është goditur veçanërisht rëndë: atje, ndër të tjera, transaksionet e pagesave kanë rënë dhe kanalet televizive janë jashtë linje.