Në një njoftim të Komisionit Evropian shprehet brengosje për “gjendjen e rëndë” në të cilën ndodhet Maqedonia, pa dhënë detaje mbi shkaqet e anulimit të takimit.
“Dështimi i marrëveshjes së Përzhinës (midis katër partive politike, mbi kushtet e mbajtjes së zgjedhjeve të drejta dhe demokratike) do të ketë pasoja serioze për vendin.
Çdo hap prapa mund ta largojë Maqedoninë nga aspiratat evropiane. Ne do të asistojmë tani dhe në të ardhmen. Megjithatë, përgjegjësia për progresin demokratik dhe përparimin në rrugën euroatlantike u takon partive”, thuhet në reagimin e parë të Komisionit Evropian.
Dështimi i takimit vjen një ditë pasi lideri i opozitës në Maqedoni, Zoran Zaev, ka thënë se nuk do të shkojë në Vjenë pa plotësimin e dy kushteve: anulimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor dhe tërheqjen e vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov për faljen e zyrtarëve që po hetohen nga Prokuroria Speciale për veprime të paligjshme.
Protetstat në Shkup dhe qytete të tjera, kundër pushtetit, janë duke vazhduar për të dytën javë me radhë.