Në gomonen e sekuestruar pasditen e djeshme në Karaburun u gjetën rreth 577 kg lëndë narkotike kanabis, një pjesë në formën e çokollatës.
Policia ka vënë në pranga tre persona pas disa orësh ndjekje nga deti dhe nga toka të gomones, e cila u kap në “Gjirin e Dafinës” pranë Karaburunit. Tre personat që i përkasin moshës, 43, 34 dhe 27 vjeç janë arrestuar pasi dyshohet se do të trafikonin lëndën narkotike drejt Italisë.
Ata tentuan të braktisnin gomonen dhe të largoheshin, por nuk i shpëtuan dot prangave të policisë.
“Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë ndalimi i shtetasve M. B., 43 vjeç, H. M., 27 vjeç dhe Ë. M., 34 vjeç, banues në Vlorë, të dyshuarit si trafikues të lëndës narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të tentativës për trafikim të lëndës narkotike, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Operacioni i koduar “Karaburuni” u finalizua nga Shërbimet e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Delta Forcë, Guardia di Finanza, Policinë Kufitare Vlorë dhe QNOD.