Alarmi për bombë në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, që erdhi përmes postës elektronike nga një burim ende i paidentifikuar, rezulton të ketë qenë i rrejshëm.
Policia e Kosovës ka dhënë më shumë detaje rreth ngjarjes që shqetësoi UP-në.
Për Insajderin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative për menaxhimin e mjeteve shpërthyese.
Megjithatë, ka konfirmuar ai për gazetën, alarmi del të jetë i rrejshëm.
“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, informata – alarmi ka rezultuar të jetë i rrejshëm”, ka konfirmuar ai për Insajderin
Gazeta Demokracia ka publikuar edhe e-mailin kërcënues që vinte nga adresa [email protected], ku në gjuhën angleze thuhej “Bomba në Hasan Prishtina do të shpërthejë tani”. E-maili kërcënues kishte arritur në adresën [email protected] në ora 13:45.
Rektori i UP-së, Naser Sahiti, ka folur për Insajderin në lidhje me rastin.
“Po është e vërtetë, pasi jam larguar nga rektorati kam marrë informacionin se policia e kanë rrethuar objektin”, tha Sahiti për Insajderin.
I pyetur se a ekzistojnë dyshimet tek dikush rreth këtij veprimi, Sahiti tha se nuk ka ndodhur ndonjë zhvillim së fundi andaj nuk ka edhe dyshime në dikë.
“Momentalisht nuk kemi dyshime në dikë, pasi në rektorat nuk ka ndodhur ndonjë zhvillim që mund të jetë indikator i këtij veprimi”, përfundoi Sahiti.