Detaje nga laboratori ku u identifikuan shenjat e gishtërinjve të Faton Hajrizit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Detaje nga laboratori ku u identifikuan shenjat e gishtërinjve të Faton Hajrizit

    Insajderi
    30 July 2024 - 08:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një javë më parë, shteti serb ka dërguar gjurmët e gishtërinjve të një personi të raportuar si të vrarë në Serbi, të cilat pas krahasimit në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë (AKF), kanë rezultuar se janë të njëjta më të arratisurin nga burgu i Smrekonicës, Faton Hajrizi.

    Janë gjurmët e fundit që u mblodhën në vendin e ngjarjes. Në këtë formë, në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, të hënën erdhi edhe një kërkesë.


    Ekspertëve të daktiloskopisë, iu kërkua që ta identifikojnë personin të cilit i takojnë këto gjurmë.

    E këtë punë, ka mbi dy dekada që e kryen specialisti i lartë për daktiloskopi, Flurim Sahitaj.

    Ai ka treguar se cilët janë hapat që ndiqen deri tek identifikimi i një personi përmes këtyre dëshmive fizike.

    “Së pari bëhet vlerësimi i gjurmës së vijave papilare, pastaj vlerësohet nëse është e përshtatshme gjurma e vijave papilare për t’u skanuar ose si i themi ne për tu insetuar në sistemin kompjuterik. Pastaj sistemi i jep kandidatët e mundshëm potencial, por në këtë rast është specialisti që e vendos me cilët persona krahasohet, janë diku 10-20 persona dhe vjen deri tek rezultati i identifikimit”, tha Sahitaj, për tëvë1.

    Së fundmi, këtij procesi iu nënshtruan edhe gjurmët e ardhura nga shteti serb, të cilët thanë se i përkasin një personi të vrarë në Loznicë.

    E pas identifikimit, doli se i përkasin të arratisurit nga burgi i Smrekonicës, Faton Hajrizit.

    Por, a mund të ketë gabime në identifikimin e një personi përmes kësaj metode?

    “Marzha e gabimit nuk ekziston në këto raste, sepse eksperti e vlerëson çdo detaj të një gjurme të vijave papilare dhe shenjës së gishtërinjve. Është versioni i sistemit, i emërtuar si Cabis 7, ku në mënyrë automatike bëhet identifikimi i gjurmëve të vijave papilare të ardhura nga vendi i ngjarjes dhe i shenjave të gishtërinjve të personave potencialisht të dyshuar”, tha ai.

    Ndërkohë, udhëheqësi i divizionit të daktiloskopisë dhe traseologjisë, Gjokë Gegaj, ka treguar se në cilat raste kryhet ky lloj identifikimi në AKF.

    “Kryesisht bazohemi në kërkesat dhe urdhëresat e organeve hetuese, të policisë apo agjencioneve të tjera që punojnë për zbatimin e ligjit. Kryesisht kërkesën i bëjnë hetuesit përmes prokurorëve, ashtu që kërkesa vinë e regjistrohen në divizionin e pranimit të provave”, tha Gegaj.

    Gegaj po ashtu ka treguar se cila është karakteristika e këtij procesi.

    “Parimi i parë është që askund në botë, deri më tash, nuk janë gjetur dy persona me shenjat e gishtave të njëjta”, tha ai.

    Ndryshe në këtë divizion të AKF-së, punojnë tetë ekspertë të kësaj lëmie më përvojë pune më shumë se 20 vjeçare.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark