Një vendim i qeverisë për të ndaluar hyrjen e presidentit serb në Kosovë ka mobilizuar Policinë e Kosovës, të cilët kanë treguar forcën para zyrtarëve të sigurimit të shtetit fqinj në pikën kufitare të Merdarës.
Katër vetura, në të cilat ndodheshin truproja të armatosura të presidentit Nikoliq, janë bastisur e më pastaj janë kthyer prapa nga policia.
Insajderi mëson nga burimet e veta se ata kanë tentuar hyrjen në Kosovë një ditë para se të fillonte vizita e presidentit serb, në mënyrë që të organizojnë pritjen e tij.
Bajram Krasniqi, zëdhënës në Policinë e Kosovës, nuk ka dhënë detaje lidhur me kthimin prapa të truprojave të presidentit serb. Por, ai ka thënë se askush nga Serbia nuk ka marrë leje që të futet në Kosovë.
Nikoliq pritej të qëndrojë në Shtërpcë të premten, për të marrë pjesë në kremtimin e Krishtlindjes. Për herë të fundit ai ishte në Kosovë në Gazimestan për Vidovdan në vitin 2014.
Por, Qeveria e Kosovës njoftoi pasditen e së enjten se ka refuzuar kërkesën e presidencës serbe për vizitë.
Refuzimi është bërë për shkak se pala serbe është vonuar për të deponuar me kohë kërkesën për vizitë ashtu siç parashihet me marrëveshjen për lejimin e vizitave të zyrtarëve të lartë ndërmjet dy shteteve
Mediat serbe, duke iu referuar burimeve në Presidencën e Serbisë, po ashtu kanë raportuar për ndalimin e delegacionit në kufi. Mediat kanë raportuar për sjellje jo korrekte të zyrtarëve kosovarë gjatë kryerjes së procedurave./Insajderi.com