Ditën e djeshme në medie është publikuar një video-incizim ku shihej një 3 vjeçar teksa keqtrajtohej nga edukatoret e kopshtit “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë.
Kjo video është publikuar nga Fatos Geci ku i njëjti kishte shpërndarë edhe pamje nga lëndimet që kishte pësuar fëmiu nga edukatoret.
Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Geci tha se ngjarja kishte ndodhur të premten kurse pamjet u siguruan vetëm dje.
Ai tha se kur shkuan tek kopshti “Gëzimi ynë” të premtën stafi nuk pranoi që t’i lëshonte video-incizimet nga kamerat e sigurisë.
Të njëjtit pranuan vetëm në prani të policisë.
“Ngjarja ka ndodhur të premten, nëna e fëmiut e kishte parë gjendjen dhe kishim shkuar për të kontrolluar kamerat e sigurisë. Stafi nuk pranuan që ti ndajnë me neve të premtën ato pamje, kështu në prani të policisë i shikuam ditën e djeshme. Motra ime nuk ka pasur asnjëherë problem me stafin atje. Tani është tek kopshti ku po priten të arrestohen edukatoret”, tha Geci për Insajderin.