Dy persona, babë e bir nga Livoçi i Poshtëm në Gjilan janë arrestuar nën dyshimin se e dhunuan seksualisht nusen. Vjehrri po dyshohet se e ka sulmuar seksualisht nusen e djalit, ndërsa ky i fundit nuk e ka raportuar, por dyshohet se ka manipuluar me prova.
Rasti që tashmë po hetohet si sulm seksual u denoncua gjatë ditës së djeshme nga viktima, e cila deponoi edhe prova që e dëshmojnë një gjë të tillë.
Sipas sinjalit të dyshuarit janë Nesret Bislimi (51) dhe Fatijon Bislimi (19), ndaj të cilëve është urdhëruar masa e ndalimit policor.
Si ndodhi rasti?
Viktima ka raportuar në Polici se është sulmuar seksualisht nga babai i bashkëshortit të saj dhe për një gjë të tillë ka qenë në dijeni ky i fundit.
Bazuar në dëshminë e viktimës, e cila është 17-vjeçare, vjehrri i saj 51-vjeçar e ka sulmuar seksualisht.
Fakti që e bën edhe më tronditës këtë rast është se burri i saj 19-vjeçar, ka qenë në dijeni se babai ia ka prekur gruan me qëllime seksuale dhe përveç që nuk e ka raportuar një gjë të tillë, dyshohet se ka manipuluar me provat.
Të njëjtit janë intervistuar lidhur me rastin dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndaj tyre është iniciuar hetimi dhe brenda afatit ligjor pritet edhe të ushtrohet kërkesa për masën e sigurisë.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kur vepra penale “Sulmi seksual” kryhet në rrethanat kur viktima është ndërmjet moshës 16 dhe 18 vjeç apo kur kryesi është në marrëdhënie familjare me viktimën, dënohet me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.