
Avokatja e këngëtarit Feronit Shabani, i njohur si Fero, Bedrie Berisha Rexhepi, ka reaguar ashpër pas publikimit në media aktakuzën e Prokurorisë, duke e cilësuar atë si shkelje të rëndë të ligjit dhe tentativë për manipulim të opinionit publik.
Në një prononcim zyrtar, Berisha Rexhepi ka sqaruar se seanca e mbajtur më 25 qershor ishte e mbyllur për publikun me vendim të trupit gjykues, dhe se çdo shpërndarje e të dhënave nga ajo seancë përbën shkelje të parimeve të procesit të drejtë gjyqësor, si dhe të ligjeve në fuqi në Kosovë.
“Publikimi i këtyre të dhënave pa lejen e gjykatës është i papranueshëm dhe i motivuar nga interesa që shkojnë përtej drejtësisë, me qëllim të zhvendosjes së fokusit nga e vërteta dhe manipulimit të perceptimit publik”, theksohet në reagim.
Avokatja ka bërë të ditur se aktakuza ndaj Feros ende nuk ka marrë formë të prerë, pasi nuk është konfirmuar nga gjykata. Ajo gjithashtu ka rikujtuar se pala tjetër në këtë proces është subjekt i ndjekjes penale, me aktakuzë të ngritur dhe hetime në vazhdim nga Prokuroria Themelore në Gjilan.
Berisha Rexhepi shtoi se përpjekjet për diskreditimin e klientit të saj nuk do ta ndalin kurrë dëshirën e tij për të kërkuar vajzën e tij, N.
“Klienti im nuk ka kërkuar kurrë mëshirë — ai ka kërkuar vetëm drejtësi. Ky nuk është vetëm një rast gjyqësor, por një betejë për një lidhje të shenjtë mes prindit dhe fëmijës”, thuhet ndër të tjera në reagimin e saj.
Reagimi i plotë i avokates:
Prononcim zyrtar; Në lidhje me publikimin e fundit të bërë nga një portal medial më datë 2 korrik 2025, theksojmë me shqetësim se informatat e publikuara përmbajnë elementë të qartë të shkeljes së ligjit dhe të procedurës penale. Sqarojmë se seanca e datës 25.06.2025 ishte e mbyllur për publikun, me vendim të trupit gjykues, dhe për pasojë çdo shpërndarje e të dhënave apo dokumenteve nga ajo seancë paraqet cenim të rëndë të parimeve të procesit të drejtë gjyqësor, si dhe shkelje të ligjeve të Republikës së Kosovës që ndalojn publikimin e materialeve nga seancat jo publike pa lejen e gjykatës. Po ashtu, aktakuza ndaj klientit tim ende nuk ka marrë formën e prerë, duke qenë se ende nuk është verifikuar-konfirmuar nga gjykata. Publikimi i saj në këtë fazë është i papranueshëm dhe i motivuar nga interesa që shkojnë përtej drejtësisë – konkretisht tentativë për të zhvendosur fokusin nga e vërteta dhe për të manipuluar perceptimin publik, përmes shpërqendrimit të opinionit. Në anën tjetër, pala tjetër në këtë proces është subjekt i ndjekjes penale, me një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan – PP.I.nr.184/2024 me datë 20.12.2024, si dhe një aktvendim për fillim të hetimeve me nr. PP.II.nr.758/25 të datës 13.06.2025, të lëshuar po ashtu nga Prokuroria Themelore në Gjilan. Duket qartë se kjo situat e ka shqetësuar dhe ka nxitur këtë reagim të dëmshëm publikisht me qëllim zhvendosjen e vëmendjes dhe devijimin e të vërtetës. Këto përpjekje të koordinuara për të diskredituar klientin tim nuk do ta ndalin asnjëherë dëshirën e tij të drejtë për të kërkuar vajzën e tij N. Asnjë publikim i tillë, sado i keqorientuar apo i motivuar nuk do të thyejë vullnetin e një babai që lufton për fëmijën e tij. Klienti im nuk ka kërkuar kurrë mëshirë – ai ka kërkuar vetëm drejtësi. Ky nuk është vetëm një rast gjyqësor – është një betejë për një lidhje të shenjtë mes prindit dhe fëmijës. Zëri i tij nuk do të heshtë. Kujtimi i tij nuk do të fshihet. Ai do të vazhdojë të kërkojë të bijën derisa ajo derë të hapet, derisa ai përqafim të ndodhë. Drejtësia ende ka zë dhe zemër në këtë vend. Në sallën e gjykatës – aty ku heshtja bëhet dëshmi, dhe faktet mbizotërojnë mbi zhurmën – do të dëgjohet zëri i klientit tim, z. Feronit Shabani. Jo për të ndëshkuar dikë, por për të rikthyer atë që është më e shenjta për një prind: vajzën e tij.