×
  • Lajme
  • Lajme

    Detajet e tenderit: I akuzuari për mashtrim fitoi kontratë nga Ministria e Shëndetësisë

    Insajderi
    20 April 2020 - 18:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Biznesmeni i akuzuar për mashtrim, Armend Agani, negocioi në emër të kompanisë farmaceutike “Agani Ltd” për një kontratë të vlefshme 16 mijë euro të Ministrisë së Shëndetësisë.

    “Agani Ltd” është njëra nga tri firmat përfituese të tenderit të emërtuar: “Furnizim emergjent me produkte farmaceutike për Corona-virus”. Më 10 prill të këtij viti, kjo kompani private është përzgjedhur fituese e lotit 31 të tenderit, të vlefshëm 16 mijë (16.055,00) euro.

    Kompania “Agani Ltd” figuron në pronësi të Dugagjin, Don dhe Driton Aganit. Ajo e ka bazën në Komunën e Graçanicës dhe merret me tregtinë me pakicë e shumicë të artikujve farmaceutik.

    Insajderi ka gjetur se edhe Armend Agani, ish-pronari i shumicës së aksioneve të kompanisë “Agani Ltd”, figuron ende si pjesëtar i firmës.

    Ai kishte mbajtur pjesën më të madhe të aksioneve në ndërmarrje deri më 27 prill të vitit të kaluar, kur kishte hequr dorë nga aksionet e firmës “Agani Ltd” dy javë pasi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës. Aksionet ia kishte bartur djalit të tij, Don Aganit.

    Mirëpo, kontrata e lidhur ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe firmës “Agani Ltd”, tregon se Armend Agani vazhdon të ketë rol brenda firmës.

    Sipas këtij dokumenti të cilin e ka siguruar Insajderi, Armend Agani ka menaxhuar kontratën e vlefshme 16 mijë euro të firmës “Agani Ltd” me Ministrinë e Shëndetësisë. Ka negociuar në emër të firmës për tenderin e MSh-së për furnizim emergjent me barna.

    Armend Agani, së bashku me bashkëpunëtoren e tij Liljana Smiliq, ishin arrestuar më 10 prill 2019 nën dyshimet për hapjen e paligjshme të klinikës “BEL MEDIC INTERNATIONAL D.O.O.”, pronar i së cilës figuron edhe sot në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj Armend Aganit dhe bashkëpunëtores së tij, Liljana Smiliq në shtator të vitit të kaluar.

    Ata po akuzohen për tri vepra penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “mashtrimi” dhe veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Insajderi raportoi javën e kaluar se në firmën private “Agani Ltd” kishte qenë i punësuar ministri aktual i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Firma “Agani Ltd” i kishte dhënë përgjegjësi të mëdha Vitisë përgjatë tri viteve të kaluara nga ministri aktual si i punësuar në kompani.

    Ndonëse në CV-në e tij Vitia ka deklaruar të ketë punuar në firmën “Agani Ltd” si këshilltar profesional i shitjes, një dokument të cilin e ka siguruar gazeta tregon se Vitia së bashku me Dugagjin Aganin, asokohe zëvendësdrejtorin e firmës, kishin qenë pjesë e bordit drejtues të “Agani Ltd”.


    Arben Vitia kishte qenë pjesë e bordit drejtues të firmës private “Agani Ltd”

    Sipas këtij dokumenti, Vitia kishte ushtruar funksionin e udhëheqësit të sektorit shëndetësor të firmës “Agani Ltd”. Kishte përfaqësuar këtë sektor si pjesë e bordit drejtues të ndërmarrjes.

    Lexo edhe:

    https://insajderi.org/hulumtime/ish-shefat-e-arben-vitise-marrin-hise-ne-tenderin-e-ministrise-se-shendetesise/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark