×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Dhoma publike” sfidon autoritetet maqedonase

    Insajderi
    04 February 2021 - 16:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Të mërkurën qindra qytetarë protestuan në Shkup nën moton “Ti je viktimë”, “Nuk është faji yt” në mbështetje të viktimave të grupit “Dhoma publike”.

    Fëmijët e moshës së mitur gjithnjë e më shumë bëhen pre e keqpërdorimeve dhe abuzimeve seksuale në rrjetet sociale. Organizatat joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut thonë se institucionet veprojnë vetëm pasi përballen me presionin e opinionit publik pasi, siç thonë, mekanizmat juridikë për mbrojtjen e të miturve nga sulmet seksuale në rrjetet sociale mbeten jofunksionalë.

    Këto reagime pasojnë riaktivizimin e grupit “Dhoma publike” në platformën Telegram, me 6 mijë e 500 anëtarë, që kishte shpërndarë më shumë se 10 mijë fotografi dhe video me përmbajtje eksplicite të vajzave të mitura dhe grave.

    Shkup: Policia po heton abuzimet me përmbajtje eksplicite të të miturve
    Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, të enjten për mediat bëri të ditur se janë ndaluar katër persona, të cilëve u janë konfiskuar telefonat celularë dhe pajisjet e tjera elektronike përmes së cilave kanë komunikuar me grupin “Dhoma publike”.

    Spasovski tha se po vazhdon hetimi dhe identifikimi i anëtarëve të tjerë të këtij grupi.

    “Hendikep paraqet mungesa e komunikimit të platformës Telegram me autoritetet e vendit edhe pse ky grup, pas reagimeve, edhe të kryeministrit të vendit , u shlye”, bëri të ditur ministri Spasovski.

    Ndërkaq, avokatja Marta Gusar, e cila ishte viktimë e “Dhomës publike” ku është shpërndarë numri i telefonit të saj për, siç është theksuar, “kontakte diskrete”, tha për Radion Evropa e Lirë se si juriste e ka pasur më të lehtë denoncimin e rastit, por ka konstatuar se organet përkatëse nuk kanë pasur mjaftueshëm njohuri se si duhet vepruar në rastet e këtilla.

    “Organet përkatëse, së cilave u drejtohen viktimat, nuk dinë t’i orientojnë se çka duhet të bëjnë që të jenë të mbrojtura. Nevojitet edukimi i organeve të sigurisë në çdo nivel në mënyrë që viktimat, të cilat u drejtohen dhe nuk kanë njohuri se për çfarë vepre penale bëhet fjalë, është policia, përkatësisht organet përkatëse janë ato që duhet t’i orientojnë palët për marrjen e ndihmës juridike, sepse jo çdo viktimë ka njohuri juridike dhe di t’i mbrojë të drejtat e veta në situata mjaft delikate”, theksoi Marta Gusar.

    Ndërsa, Lisa Bauta Shaqiri, aktiviste për të drejtat e njeriut, së cilës i është bllokuar profili i saj në Facebook, sepse ka përdorur gjuhë më të ashpër ndaj personave që kanë qenë të përfshirë në rastin “Dhoma publike”, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se personat e involvuar u ndjenë të kërcënuar dhe kanë vepruar shumë më shpejt për t’i bërë të heshtin të gjithë ata që e zbardhin rastin, duke e raportuar profilin për dallim nga institucionet që u treguan të ngathëta për të vepruar në këtë drejtim.

    Ajo potencoi se viktimat e kanë shumë të vështirë t’i denoncojnë rastet e abuzimit seksual në rrjetet sociale, për shkak të dhembjes edhe më të madhe që përjetojnë nga stigmatizimi.

    “Besoj se e gjithë shoqëria ka tendencë që të stigmatizojë dhe që dhe të bëjë që tema e seksit të jetë tabu, që pastaj rezulton të dalin devijime të këtij lloji që në psikologji njihen si çrregullime seksuale”, theksoi ajo.

    Nga ana tjetër, Vedije Ratkoceri, ligjëruese në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, e cila ka realizuar hulumtime për sa i përket abuzimin seksual te të miturit, për Radion Evropa e Lirë vlerësoi se institucionet e sigurisë kanë mangësi për sa i përket sigurimit të kuadrit profesional për ta luftuar këtë fenomen.

    “Të jemi të sinqertë, Maqedonia e Veriut nuk është se ka një sektor të specializuar për të ndjekur kriminalitetin kompjuterik. Për momentin, kemi sektor që është një gjendje të gjejë një fake-account (llogari të rrejshme), IP adresë, apo të gjejë se kush është kërcënuesi ose diçka të ngjashme, por të ndjekë kriminalitetin kibernetik të përmasave më të mëdha ,është gjithmonë më problematike”, vlerësoi Ratkoceri.

    Ngacmimet shënojnë rritje në shkollat e Maqedonisë së Veriut
    Ajo shtoi se ndryshimet në Kodin Penal të paralajmëruara nga dikasteri i Drejtësisë pas rastit “Dhoma publike”, me të cilin do të parashihen sanksione përkatësisht privimin nga liria edhe për ata që përndjekin dhe jo vetëm që abuzojnë fizikisht me të miturit, të gjejnë zbatim sa më shpejt, sepse teknologjia zhvillohet me hapa shumë të shpejtë dhe të miturit gjithnjë e më shumë i ekspozohen këtij rreziku.

    “Te Kodi Penal mungon kualifikimi i veprës penale siç do të ishte përndjekja apo gjurmimi ku do të kualifikohej ky fenomen që ka të bëjë me keqpërdorimin e të dhënave dhe përmes kërcënimit detyron të veprojë në mënyrë të caktuar, ku më shumë vijnë në shprehje shantazhet për akte seksuale në mënyrë të paligjshme, duke keqpërdorur fotografi të caktuara apo të dhënat personale të personave të mitur”, shtoi Ratkoceri.

    Grupi “Dhoma publike” në platformën Telegram, u zbulua vitin e kaluar dhe u mbyll pas reagimeve të publikut. Por, deri më tani askush nuk u përgjigj penalisht për keqpërdorimin e të dhënave personale dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve në internet.

    Të mërkurën qindra qytetarë protestuan në Shkup nën moton “Ti je viktimë”, “Nuk është faji yt” në mbështetje të viktimave të grupit “Dhoma publike”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark