
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë mbështet thirrjet drejtuar qeverisë për heqjen e tarifave doganore ndaj produkteve amerikane, shkruan Insajderi.
DhTIK ka kohë që ka ngritur shqetësime lidhur me këtë çështje, të cilat u shfaqën si rezultat i vendimit të administratës Trump.
DhTIK u ka bërë thirrje institucioneve të nisin negociata që do të shmangnin pasojat negative për Kosovën.
Megjithatë, pavarësisht këtyre thirrjeve, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret në nivel zyrtar.
Lexo edhe: Taksa 10% ndaj mallrave amerikane, Osmani i kërkon Kurtit ta pezullojë
DhTIK vlerëson se këto tarifa, edhe pse më të ulëta krahasuar me shumë vende të rajonit, mund të kenë ndikim të rëndë në ekonominë e vendit, sidomos për bizneset që eksportojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
DhTIK i bën sërish apel qeverisë për të mbështetur bizneset e prekura nga ky vendim, pasi rrezikohet humbja e qindra vendeve të punës.
“Për më tepër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka kërkuar vazhdimisht heqjen e tarifave doganore dhe TVSH-së (8% për mallrat esenciale dhe 18% për mallrat e tjera). Megjithatë, asnjë qeveri, duke përfshirë qeverinë Kurti 1 dhe Kurti 2, nuk ka ndërmarrë veprime për heqjen e këtyre tarifave”, thuhet në njoftim.
Theksojmë se, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës në detyrë që të pezullojë taksën prej 10% që është vendosur ndaj mallrave të Shteteve të Bashkuara.
Kjo kërkesë vjen pas vendimit të Administratës Trump, e cila ka vendosur tarifa prej 10% për të gjitha importet, përfshirë edhe ato nga Kosova.
Në një deklaratë, Osmani tha se ky hap do të dërgonte një mesazh të fuqishëm për forcimin e marrëdhënieve ekonomike me SHBA-në, duke bërë të qartë angazhimin e Kosovës për një partneritet më të ngushtë dhe më të qëndrueshëm me aleatin e saj më të rëndësishëm.
Ndërkohë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati e ka cilësuar kërkesën si të nxituar dhe ka shtuar se një shtet serioz trajton këto çështje larg mediave, duke informuar publikun vetëm pas marrjes së një vendimi.
Ai ka përfunduar duke njoftuar qytetarët dhe Presidenten Osmani se Qeveria e Kosovës ka qenë duke shqyrtuar këtë temë dhe se do të informojë publikun për çdo vendim të ardhshëm.
“Shfrytëzoj rastin përmes këtij postimi që të njoftoj Presidenten, por edhe qytetarët, që si kabinet qeveritar ne veçse kemi qenë duke e shqyrtuar këtë temë. Dhe kurdo që merret një vendim patjetër që do t’ju njoftojmë me kohë“, shkroi ai.