Të enjten dhuna e shfaqur në Kuvendin e Kosovës nga deputetë e opozitës dhe kabinetit qeveritar u bë kryetemë edhe nëpër mediat e huaja. Vendosja e fotografisë ku shihet fytyra e kryeministrit Kurti me një animacion të personazhit vizatimor Pinokio nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ishte pikënisja e ngjarjes së rëndë që ndodhi brenda institucion shtetëror. Pas veprimit të Musliut, në këmbë u qua zëvendëskryeministri i Kosovës i cili e shqeu fotografinë. Këtu filluan edhe përleshjet fizike mes palëve.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku i shkojë afër foltores Kurtit e ku e gjuajti më ujë, më pas zëvendëskryeministri e gjuajti me shishe, për më tepër situata eskalojë, deputetë të shumtë u panë në mesin e sallës. Ministrit të Financave Hekuran Murati iu kapën syzet nga deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.
Në mesin e turmës vërehet Bekim Haxhiu i PDK-së i cili ia fut shuplakë zëvendëskryeministrit, Bislimi.
E tashmë ka nisur edhe përplasja verbale për atë se kush e nisi sherrin, pushteti apo PDK-ja.
Për këtë, Prokuroria Themelore në Prishtinë veçse ka nisur punën, ka ftuar disa deputetë të PDK-së e pjesëtar të kabinetit qeveritar për intervistim.
Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria për të kuptuar më shumë detaje rreth rastit, por e vetmja përgjigje që na është dhënë nga zëdhënësja ka qenë se “Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se rasti në fjalë ndodhet në procedurë hetimore”.
Por kush u ftua për intervistim deri tani?
Nga ajo çka dihet deri tani është se për intervistim është ftuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, Ministrin e Financave, Hekuran Murati si dhe tre deputetë e PDK-së, Mërgim Lushtaku, Hajdar Beqa e Bekim Haxhiu.
Tre ditë më parë dëshminë e tij para prokurorisë e ka dhënë deputeti, Mërgim Lushtaku.
Pas intervistimit, mbrojtja e tij u shpreh se klienti i tij është intervistuar në cilësi të dyshuarit për sulm, por edhe të viktimës.
Ai ka thënë se qartazi shihet se zëvendëskryeministri Bislimi ka sulmuar i pari deputetin Lushtaku dhe se ky i fundit të gjitha veprimet e tij i ka bërë në vetëmbrojtje.
Se janë thirrur nga prokuroria e kanë konfirmuar edhe deputeti Beqa e Haxhiu.
Në anën tjetër, pritet që edhe të tjerët të intervistohen.
“Sulm i organizuar”
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka komentuar përplasjen në mes të deputetëve të PDK-së dhe atyre të VV-së dhe ministrave të kryeministrit Albin Kurti, të cilët po mbronin.
Ajo përplasjen e PDK-së e ka cilësuar si “sulm të organizuar” ndaj Qeverisë së Kosovës, duke shtuar se Qeveria e Kurtit nuk ka asnjë ministër apo zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi, për dallim nga qeveritë e kaluara.
Orkestrim i qeverisë kundër PDK-së
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për dhunën e parë në Kuvend.
Dhuna, sipas tij, ishte e orkestruar nga Qeveria kundër deputetëve të PDK-së.
“Dhuna qeveritare në mbrojtje të Radojçiqit! Sot, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë ballafaquar me një orkestim të pastër nga ana e Qeverisë, që, fatkeqësisht, ishte i bazuar në sulme fizike dhe nxitje të dhunës”, deklaronte ai.
Sipas të parit të PDK-së, sulmet e Qeverisë ndaj opozitës kanë për qëllim që t’i mbulojnë skandalet e tyre, siç është komunikimi i Mimoza Kusari – Lilës me Milan Radojçiqin.
Kurse arsyeja e dytë, sipas Krasniqit, është që Qeveria “Të mbulojë tërheqjen e turpshme e të fshehtë të Besnik Bislimit nga veriu i Kosovës – këtij ‘profesori’ që provokoi, nisi dhe kontribuoi pareshtur në sulmet fizike të Qeverisë ndaj deputetëve tanë”.
“Dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve“
Kritikë për çka ndodhi në Kuvend dha edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Osmani shkroi se përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë.
Përleshjen mes të pozitës dhe opozitës e komentoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ky i fundit e ka quajtur “të turpshme” sjelljen e opozitës, teksa uroi që ajo të distancohej nga veprime të kësaj natyre.
Kryeministri Rama e ka quajtur formën e kundërshtimit të shprehur në Kuvend nga opozita si një të atillë në dëm të vendit.
Dhuna në Kuvend, kryetemë edhe nëpër mediat ndërkombëtare
Kuvendi i Kosovës mori vëmendjen e gazetës prestigjioze “The Guardian”
Kjo gazetë ia kushtoi një tekst përplasjes fizike në mes të përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës, e cila ndodhi kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po mbante fjalim për situatën në veri.
BBC i, po ashtu i ka kushtuar një artikull asaj që ka ndodhur në Kuvend duke shpjeguar se rrahja me grushte ndodhi për shkak të hedhjes së ujit mbi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në artikullin e BBC shkruhet se “kjo ndodhi pas një debati të tensionuar tre-ditor rreth trazirave në veri të Kosovës”.
“Kryeministri Kurti po i drejtohej sallës kur shpërthyen emocionet. Një fotografi e tij u gris dhe më pas filluan rrahjet”.
Pa shkruar nuk la as CBC NEWS që i kushtoi një artikull rrahjes në Kuvendin e Kosovës.
Edhe media të tjera të njohura si Reuters e shumë të tjera kanë paraqitur edhe vizualisht atë çfarë ndodhi mes pushtetit e opozitës në Kuvend.
/GazetaInsajderi