×
  • Lajme
  • Analiza

    Dhuna nëpër televizione që çoi edhe në ndërhyrje të Policisë- për Insajderin flasin ekspertët

    Insajderi
    15 September 2022 - 22:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “I’ts my home” është programi televiziv që mori vëmendjen e të gjitha mediave ditët e fundit në Kosovë. Krejt kjo filloi me një video ku paraqiteshin skena dhune mes dy konkurrentëve të këtij reality show. Ky rast çoi gjerë në ndërhyrje të policisë tek selia e televizionit. Në lidhje me ndikimin e përmbajtjeve të dhunshme nga media tek audienca dhe rolin që ato bartin në psikologjinë e njeriut, për Insajderin flasin profesori universitar, Muhamet Jahiri dhe psikologia, Kosovare Maraj.

    Insajderi

    Në pothuajse shumicën e video-ve që shpërndahen në media, vëmendje më të madhe marrin ato me përmbajtje të dhunës e gjuhës së urrejtjes, kjo sipas profesorit universitar i cili ligjëron lëndën “Edukimi Medial”, në UP, Muhamet Jahiri është si pasojë e zhvillimit të teknologjisë.

    Mund te themi qe zhvillimi i mediave dhe sidomos teknologjisë ka sjell forma të reja të komunikimit bashke me to kanë kalu edhe në gjuhen që përdoret sot me burime në mediat e reja sidomos. Jemi dëshmitar të një situate ku mediat po dalin jashtë kontrolle në aspektin ligjor qysh është rasti i KPM-se, që duhet ti monitoroj mediat“, tha Jahiri për Insajderin.

    Sipas Jahirit, prapa përmbajtjeve të tilla në televizione është tendenca për klikime pa ndonjë vlerë.

    Kjo pasi sipas profesorit universitar, audienca ndikohet nga këto modele që më pas i ushtrojnë në komunitet.

    Jemi dëshmitar të show-ve televizive që mbrapa tyre fshihen vetëm klikime pa vlera tjera ku kemi kalu në dhunë fizike. Audienca është ajo që po ndikohet nga këto modele të instaluara ne media mandej po kalojnë në veprime ne miqësi ose komunitet, qoftë në shkolla, por, edhe vende publike“, tha profesori universitar.

    Jahiri: Komisioni i Pavarur i Mediave të jetë rigoroz

    Eksperti i mediave, Jahiri, tha se ky është momenti i fundit nga ku duhet të krijohen mekanizma kontrolli, jo përmes qeverisë por nga institucionet e pavarura.

    Sipas tij, Komisioni i Pavarur i Mediave duhet të jetë më rigoroz tek televizionet, kurse mediat e shkruara të krijojnë mekanizma vetëkontrolli dhe të sanksionojnë gjuhën e urrejtjes.

    Këto përmbajtje unë mendoj që është momenti i fundit që duhet të krijohen mekanizma kontrolli, jo mekanizma përmes institucioneve qeveritare por nga institucionet e pavarura, nëse flasim për televizionet, pra KPM-ja duhet të jetë me rigoroze qoftë në punën për ti ndryshuar rregulloret që mi përshtat me ndryshimet që ka sjellë teknologjia, këto mediat e tjera sidomos gazetat online të proklamojnë një bashkëpunim mes tyre që të nxjerrin rregullore ku mund të sanksionohet gjuha e urrejtjes, lloj vetërregullimi“, deklaroi Jahiri.

    “Nëse audienca edukohet mbi mediat programet e tilla nuk do të kenë shikueshmëri”

    Përderisa edukimi mbi median synon rritjen e aftësive kognitive mbi të kuptuarit e përmbajtjeve që publikohen, Jahiri thotë se kësisoj audienca nuk do t’i përcjellte produktet e tilla.

    Sa më e përgatitur të jetë audienca , sa më shumë që ka aftësi analizuese për me pas çasje kritike në përmbajtjet mediale normalisht që do mësonin të distancohen nga përmbajtjet që ofrojnë anti-vlerë e pastaj të tjerat që promovojnë dhunë“, tha ai për Insajderin.

    Kësisoj, me vetëdijesimin e audiencës mbi mediat përmbajtjet ku ka dhunë e gjuhë të urrejtjes nuk do të kishin shikueshmërinë që kanë tash.

    Me vetëdijesimin e audiencës për mësimin mbi mediat do largoheshin përmbajtjet e tilla dhe nuk do të kishin shikueshmëri qysh kan tash. Audienca është viktimë e këtyre produkteve mediale, kjo e bën të dhimbshme produktin medial të dyanshëm“, përfundoi Jahiri.

    Ndikimi i përmbajtjeve të dhunshme sipas psikologjisë

    Në aspektin psikologjik këto përmbajtje konsiderohen të dëmshme e sidomos nëse fëmijët i shohin ato, sipas psikologes, Kosovare Muqaj- Maraj, ekspozimi para tyre është i paevitueshëm por jo lehtë edhe i kontrollueshëm.

    Si pasojë e këtyre produkteve fëmijët përballen me fantazi të zhvilluar, gjë që ndikon negativisht në procesin e të menduarit kritik.

    Duke filluar nga fakti që mediumet kanë një vend të veçantë, në jetën e njeriut, e kryesisht në kohën kur po jetojmë. Si pasojë e dhunës mediale shoqëria e kryesisht fëmijët përballen me një imagjinatë të dëmtuar dhe një fantazi shumë të zhvilluar, e cila ndikon negativisht në gjendjen shpirtërore dhe ndërtimin e të menduarit kritik tek fëmijët“, tha psikologia.

    Përkitazi me këtë, psikologia pohoi se ekzistojnë aplikacione nga ku prindërit mund të kenë dorë duke kontrolluar përmbajtjet që u servohen fëmijëve.

    Kurse mënyrë tjetër e menaxhimit të këtyre rasteve është edhe përcaktimi i një orari ku përdoren paisjet teknologjike.

    Ekzistojnë aplikacione të cilat kontrollojnë dhe ju lehtësojnë prindërve menaxhimin e pamjeve të dhunshme në media dhe rrjete sociale si p.sh. kontrollimin e ‘’youtube’’-së. Gjithashtu përcaktimi i një orari për frekuentimin e mediave dhe rrjeteve sociale ulë rrezikun nga pamjet e përmbajtjet  e dhunshme, sepse kjo është më lehtë e kontrolluar nga prindërit“, tha tutje psikologia.

    Maraj pohoi se aktivitetet fizike sot janë me më pak interes për fëmijët pasi vendin e interesave ua kanë zënë paisjet teknologjike. Kjo sipas psikologes sjell çrregullime emocionale dhe çrregullime të gjumit.

    Vlen të theksohet që aktivitetet fizike sot janë të minimizuara dhe të zëvendësuara me përdorim të teknologjisë. Kjo sigurisht që ka pasojat e saj në zhvillimin e të menduarit kritik tek fëmijët, sjelljet e tyre dhe gjendje emocionale e shpirtërore jo të mirë. Duke sjellur çrregullime emocionale dhe çrregullime të gjumit si ankthe dhe makthe, të cilat ndikojnë jo mirë në zhvillimin e mëvonshëm të fëmijut“, tha Maraj për Insajderin.

    Mesazhi i psikologes Maraj është që të reduktohet koha e qëndrimit në media dhe marrja e përmbajtjeve të dhunshme.

    Ndihmoje vetën dhe të tjerët duke reduktuar kohën e përdorimit të tepërt të  mediumeve dhe marrjen e informacioneve të dhunshme nga ato“, tha ajo për Insajderin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark