Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arrestimit të gjashtë personave, të cilët dyshohet se e kanë trafikuar dhe dhunuar 11-vjeçaren në qershor të këtij viti.
Haxhiu përmes një shkrimi në Facebook ka kërkuar dorëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe prokurorin e rastit.
“Pse nuk vepronte Prokuroria Themelore në Prishtinë në muajin qershor? Pse nuk u arrestuan asokohe personat e dyshuar? Pse dy muaj me vonesë? Më e pakta që do të duhej të ndodhte është dorëheqja e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe prokurorit që ka qenë i ngarkuar ne rastin në muajin qershor. Pa pasur dorëheqje dhe shkarkime të atyre që nuk vepruan në kohë dhe sipas përgjegjësisë, fatkeqësisht mund të kemi viktima të tjera”, ka shkruar Haxhiu.
Policia dhe Prokuroria ka njoftuar sot se gjashtë persona janë arrestuar dje, nën dyshimin se e kanë trafikuar në qershor, 11-vjeçaren që u dhunua të shtunën nga pesë persona.