Ditën e djeshme, një vajzë e mitur në Prishtinë është dhunuar seksualisht nga pesë meshkuj. Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj, ndaj të miturit i cili dyshohet që së bashku me katër persona të tjerë dhunuan të miturën 11 vjeçare.
Lajmin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar zëdhënsja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Duke ju referuar kërkesës tuaj për informata ju njoftojmë se lidhur me këtë rast Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj një të mituri, i cili dyshohet se është i përfshirë në këtë rast” – tha Gashi.
Ndryshe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar se lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar.
Po ashtu në medie u raportua se ka qenë nëna e viktimës ajo e cila e ka denoncuar rastin në stacionin e Policisë së Kosovës dhe më pas organet kompetente të miturën e kanë dërguar në strehimore.