Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se nuk do të shqetësohej për përkushtimin e popullit amerikan ndaj Kosovës dhe çështjen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, demokratik e shumetnik.
Hovenier tha se kjo është e kryer dhe sipas tij, populli i Kosovës, me administratën e re në Amerikë, atë të Trumpit, nuk do të sheh ndryshim në bujarinë e popullit të Shteteve të Bashkuara.
“Pra, Partneriteti i Gardës Kombëtare të Ajovës me Forcën e Sigurisë së Kosovës, shkëmbimet edukative, gjërat që bëjmë me të rinjtë, e gjithë kjo është pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve tona dypalëshe dhe nuk mendoj që këto gjëra do të ndryshojnë. Sa herë që një administratë e re vjen në pushtet, ata rishikojnë politikat, sepse rrethanat ndryshojnë dhe ata zgjidhen për të zbatuar disa ndryshime në politika”.
“Çështja Kosovë-Serbi nuk ishte aq lart në agjendë gjatë fushatës dhe asnjëri nga kandidatët nuk kishte ndonjë qëndrim shumë thelbësor për ndonjë ndryshim për këto çështje. Por, në mënyrë të pashmangshme, do të ketë një rishikim të politikave dhe ka të ngjarë disa ndryshime të politikave. Sikur Kamala Harris të ishte zgjedhur, ka të ngjarë të kishte pasur një rishikim të politikave dhe ndonjë ndryshim i tyre”.
Nuk e di saktësisht se çfarë do të jenë ato dhe nuk do të jem pjesë e strukturës së re që do t’i zbatojë ato. Mund të flas vetëm për atë që kemi bërë. Por, nuk do të harxhoja shumë kohë duke u shqetësuar për përkushtimin tonë thelbësor ndaj Kosovës. Kjo është e fortë”, tha Hovenier në Rubikon në Klan Kosova.
Më tej, Hovenieri foli edhe për çështjen e shkëmbimit territorial, e cila diskutohej në kohën e Administratës së parë të Trumpit, për të cilën tha se “nuk mendojmë që kjo është mënyra e duhur për të ecur përpara”.
“Nuk e di çka do të jetë e çka jo në tavolinë. Mund t’i shpreh politikat e kësaj administrate e që janë se nuk mendojmë që kjo është mënyra e duhur për të ecur përpara. Gjithashtu nuk mendojmë… është mjaft e qartë se popullatat e të dy vendeve nuk janë në favor të një zgjidhjeje të tillë”.
“Pra, nuk e shoh që do të funksionojë, por nuk jam në pozitë për të folur se cilat do të jenë prioritetet politike të administratës së ardhshme”, tha ai.