Shkruan Alban Coli
Sun Tzu mendohet që ka qenë një strateg që ka jetuar para më shumë se 2000 vjetësh në Kinë. Trashëgimia që ai ia ka lënë njerëzimit dhe për të cilën është i famshëm është një libër që quhet “Arti i Luftës”. Mes shumë këshillave që ai jep është edhe ajo e vënies së kundërshtarit me shpatulla për muri. Ai udhëzon gjeneralët që kurrë të mos e vënë kundërshtarin e tyre në pozitë nga e cila nuk ka rrugëdalje, sepse çdokush që gjendet në një situatë të tillë, mund të bëjë përpjekje herkuliane dhe nuk mund të parashikohet shkalla e rezistencës në raste të tilla.
Në Kosovë kanë rënë disa qeveri tashmë, Kryeministrat e të cilave janë përballë me situata në procesin e dialogut, ku nuk kanë gjetur rrugëzgjidhje dhe më e lehta ka qenë t’i iket sfidës përmes kërkesës për rilegjitimim me anë të zgjedhjeve të parakohshme. Kjo paqëndrueshmëri politike e ka përcjellë fazën e parë pas pavarësimit të vendit, ku në 13 vjet janë mbajtur plot 5 palë zgjedhje, përkatësisht në vitin 2010, 2014, 2017, 2019 dhe tani në vitin 2021.
Qasja e “bashkësisë ndërkombëtare” që t’i kërkojë lëshime shtesë qeverive të Kosovës përtej pakos së Ahtisarit mund të shihet si vënie e kundërshtarit me shpatulla për muri, siç thotë Sun Tzu. Mirëpo, duke marrë parasysh pafuqinë e Kosovës që t’i rezistojë presionit ndërkombëtar edhe për faktin që vetë qenia e saj varet drejtpërdrejt nga prania ushtarake e NATO-s në Kosovë, Qeveritë e Kosovës nuk zgjodhën rrugën e konfrontimit dhe rezistencës herkuliane, por atë të tërheqjes dhe “resetimit të procesit” përmes zgjedhjeve.
Sa është oportune kjo kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare që Kosova t’i kthehet dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve që tashmë janë arritur përmes këtij procesi, vetëm koha do ta tregojë. Ajo që e dallon pozitën e qeverisë së re që pritet të krijohet në Kosovë së shpejti, me atë të qeverive pararendëse që ranë mesatarisht çdo 2.5 vjet, në vend të 4 vjetëve sa ishte mandati i tyre, është fakti që kjo qeveri që po vjen, e di tashmë çka kërkon bashkësia ndërkombëtare nga ajo.
Bashkësia ndërkombëtare ka zvogëluar angazhimin e vet nga mbi 50 000 ushtarë sa kishte kur hyri në Kosovë në 1999, në rreth 3500 sa janë sot, pra një zvogëlim më shumë se 90% të trupave. Por, as kjo nuk mjafton, sepse qeveritë e atyre vendeve janë duke u përballur me tkurrje të ekonomisë si rrjedhojë e COVID19 dhe e problemeve tjera strukturale të trashëguara nga më parë. Nga 30 vende anëtare të NATO-s, 9 prej tyre shpenzojnë më shumë se 2% të GDP në mbrojtje, që është një rritje nga 3 sa përmbushnin këtë synim në vitin 2014, por ende vetëm 30% e shteteve anëtare të aleancës e arrijnë këtë synim.
Shumica e ekonomive të shteteve anëtare të NATOs tashmë kanë borxhe publike në rritje dhe kjo do të vazhdojë me këtë ritëm, si rrjedhojë e stimujve të ndryshëm ekonomikë që financohen nga huamarrje përmes borxheve publike edhe pse me norma interesi që shpeshherë janë negative! Si çdo person që është në borxh dhe i duhet të marrë borxh shtesë për të mbajtur nivelin e jetesës që ka, hapi i parë që ndërmerr është të shohë se ku mund t’i shkurtojë shpenzimet. Vendet si Kosova, ku që gati 22 vjet s’ka pasur veprime luftarake, janë kandidat i mirë ku mund të bëhen këto shkurtime.
“Bashkësia ndërkombëtare” është plotësisht e vetëdijshme që mungesa e luftës nuk nënkupton detyrimisht që ka paqe në Kosovë. Ajo mëton që përmes dialogut mes Kosovës e Serbisë të arrijë disa efekte njëkohësisht, së pari të sigurohet një paqe e mirëfilltë që mundëson largimin e mëtejmë të prezencës ushtarake, pse jo edhe të përfundimit të misionit të KFOR-it në Kosovë, por edhe të plotësohen kriteret e Kopenhagës që i duhen Kosovës e Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE.
Duke ndjekur mësimin e Sun Tzu, në këtë situatë rolet kanë ndërruar, tashmë me shpatulla për muri nuk është Kosova, por “Bashkësia Ndërkombëtare” që ka filluar të shpërfaqë “nervozen” edhe në letrat e urimit që i kanë dërguar Kosovës për Ditën e Pavarësisë e që zakonisht kanë karakter solemn.
Në të paktën 4 letra që UD e Presidentit Osmani i bëri publike, ceket në mënyre eksplicite pritshmëria e atyre vendeve (SHBA, Italia, Gjermania dhe Franca) sa i përket angazhimit të Kosovës në dialogun me Serbinë. Nervozizmi këtyre vendeve rritet edhe më tej nga qasja intransigjente e Kryeministrit në ardhje, Kurtit që nuk lë shans pa përmendur që dialogu me Serbinë është prioriteti i 6-të apo 7-të, kjo duke u mbështetur në anketimet e popullatës.
“Bashkësia ndërkombëtare” e di që kjo vënie e prioriteteve është blof, duke qenë se në momentin që jepet sinjali i qartë që do të tërhiqen trupat paqeruajtëse nga Kosova, prioritetet do të ndërronin me urgjencë dhe dialogu si mekanizëm për mbajtjen e trupave të NATO-s në Kosovë do të shndërrohej në prioritetin numër një të Qeverisë së ardhshme. Unë besoj që Kryeministri në ardhje, Kurti e ka marrë tashmë këtë mesazh në takimin që zhvilloi me ambasadorin Kosnett.
Mbetet të shihet nëse Kurti do të ndryshojë qasje apo do të ndjekë ndonjë rrugë ideologjike konfrontuese me gjithë “Bashkësinë ndërkombëtare” ngjashëm siç pati bërë para një viti, me dallimin e vetëm që atëherë shënjestër ishte vetëm Administrata e ish Presidentit Trump, kurse Evropa përgjithësisht ishte kursyer nga kritikat, në fakt ishte mëtuar që të krijohet një çarje mes partnerëve ndërkombëtar ku kryqëzohej Grenell e miklohej Borell e përfaqësuesi i tij për dialogun, Lajçak.
Nervozen e “bashkësisë ndërkombëtare” e rrit edhe më shumë fakti që LVV do të udhëheqë e vetme qeverinë dhe nuk ka mundësi matematikore që të gjendet një Hoti tjetër që do ta shtynte procesin përpara, në rast të “abdikimit nga procesi” nga Kurti. Ngurtësia e këtij të fundit të shtyjë përpara procesin e dialogut, tashmë sipas Sun Tzu e vë “Bashkësinë Ndërkombëtare” me shpatulla për muri dhe ai e di këtë, por ai poashtu duhet ta dijë që kjo situatë nuk është e qëndrueshme dhe e rrezikon interesin e gjithë shqiptarëve në Ballkan.
Kurti dhe Vucic e dinë që duhet të dalin me diçka që opinionit të vet respektiv mund t’ia paraqesin si fitore. Kurti ka shumë për të rrezikuar, sepse si pasojë e kompromiseve të dhimbshme që pritet të bëhen, i gjithë shteti i Kosovës mund të bëhet jofunksional, diçka si Bosnja. Kurse Vucic ka shumë për të fituar, sepse tashmë Kosovën e ka të humbur që dy dekada, atë e ka vetëm në preambulën e Kushtetutës së vendit të vet.
Natyrisht, që ai luan rolin e viktimës dhe paraqet humbjen e Kosovës si katastrofën më të madhe që i ka ndodhur popullit të tij, mirëpo e vërteta është që Serbia e mbante Kosovën vetëm përmes aparatit shtetëror represiv dhe prezencës së çizmeve të ushtarëve e policëve të vet, duke mos pasur kurrë popullin e vet shumicë në këtë vend. Kjo gjendje sjell në situatën e dytë pas asaj që u përshkrua me evokimin e shembullit të librit të Sun Tzu.
Situata e dytë përshkruhet më së miri përmes eksperimentit ekonomik, të teorisë së lojërave të quajtur “loja e ultimatumit”, të cilën për herë të parë e ka përmendur fituesi i çmimit Nobel, John Harsanyi. Në këtë eksperiment njërit nga pjesëmarrësit i jepet në dispozicion e gjithë shuma e të hollave, ky person duhet t’i ofrojë një pjesë nga kjo shumë personit tjetër.
Nëse ky i dyti e pranon shumën e ofruar, që të dy mbajnë pjesën për të cilën janë pajtuar, por nëse nuk e pranon, atëherë asnjëri nuk mund ta marrë shpërblimin. Përfundimi që nxirret nga kjo “lojë” është që njerëzit nuk marrin vendime racionale, duke qenë se teoretikisht personi i dytë po të ishte racional do të pranote çfarëdo shume që i ofrohet nga personi i parë, duke qenë se ai edhe ashtu nuk ka asgjë, por në realitet nëse personi i dytë konsideron që oferta nuk është bujare, i ik turpërimit dhe e dëmton veten si dhe ofertuesin duke refuzuar dhe në këtë mënyrë që të dy dalin humbës, pa marrë asgjë.
Kosova tashmë e ka pavarësinë e pranuar nga shumica e vendeve demokratike, por ajo pavarësi është kontestuar nga vet Serbia dhe nga shtete të fuqishme si Rusia, Kina e India. Kosova i ka ofruar diçka Serbisë përmes Pakos së Ahtisarit, por Serbia në rundin e parë s’e ka pranuar këtë ofertë. Tashmë, jemi në fazën e dytë të kësaj “loje” dhe Kosovës do t’i duhet t’i bëjë një ofertë të dytë Serbisë. Problemi koklavitet edhe më shumë nga fakti që Kosova tani për tani nuk është e aftë që ta mbrojë vetën ushtarakisht nga një vend si Serbia, pra i duhet prezenca ushtarake e “bashkësisë ndërkombëtare”.
Por edhe Serbia, me gjithë faktin që do të mund të pushtonte gjithë Kosovën, apo pjesë të caktuara të saj në rast të largimit eventual të forcave paqeruajtëse, do ta kishte të vështirë ta administronte një vend si Kosova përveç nëse nuk do t’i largonte përsëri popullatën shqiptare të saj dhe ta shndërronte atë në popullatë refugjate siç bëri para 22 vjetësh. Sado i pamundur që duket ky skenar, nuk duhet të përjashtohet plotësisht, sepse kemi shembuj nga Turqia e Libani ku janë strehuar 3 milion, respektivisht 1 milion refugjatë sirianë prej më se një dekade.
Kosova duhet të marrë pjesë në këtë proces dialogu, në fakt duhet ta kërkojë atë, përndryshe do të konsiderohet si palë kryeneçe dhe rrezikon të humbasë përkrahjen nga “bashkësia ndërkombëtare”, pra assesi nuk duhet të shihet si partner jo bashkëpunues.
Serbia do ta kishte shumë të vështirë të arsyetonte mospranimin e çfarëdo oferte nga Kosova dhe në rast mospranimi, edhe ajo do të humbiste plotësimin e kritereve të Kopenhagës, që ia pamundësojnë rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE. Dialogu mes Kosovës e Serbisë është çështje gjeopolitike e jo proces përmes të cilit mëtohet të arrihen të drejta shtesë për komunitetin serb siç në të kaluarën, e konsideronte procesin Kurti.
Në rastin më të mirë për të, Serbia do të fitonte të drejta për serbët dhe plotësim të kritereve të Kopenhagës, kurse në rastin më të keq do t’i duhej të arsyetonte para opinionit të vet hezitimin që të zgjidhë problemin e Kosovës përmes ndërhyrjes ushtarake, në rast të largimit të forcave ushtarake paqësore si rrjedhojë e bojkotimit të procesit nga pala kosovare.
Kosova duhet të kërkojë kthimin e gjithë kufomave të të zhukurve që Serbia i mban nëpër varreza masive e në liqene të saj. Kosova duhet të kërkojë fondin pensional të plaçkitur, se edhe ashtu pak veta mund ta gëzojnë tashmë.
Kosova dialogun duhet ta bëjë për hir të ruajtjes së mbështetjes së “Bashkësisë Ndërkombëtare” që është jetike për të e jo për shkak të dëshirës dhe vullnetit për pajtim me Serbinë, e cila sigurisht në mundësinë e parë që do t’i paraqitet, do të mundohet ta marrë në mënyrë të dhunshme Kosovën, siç ka bërë tashmë disa herë në shekujt e fundit. /Insajderi.org