
Ata i vënë theks të veçantë shqiptarëve të veriut të Mitrovicës, të cilët kërkuan një “atdhe” në Gjermani dhe papunësisë në nivel mbi 60 për qind në Kosovë.
Gjermanët e kanë titulluar reportazhin: “Një rikthim në atdheun e tyre, që nuk është më”. Në reportazh rrëfehet familja Isufi nga Mitrovica, e cila është kthyer para pak javësh në Kosovë, dhe në pamundësi për të pasur një apartament, është duke jetuar në shtëpinë e vëllait të burrit të familjes, Albertit.
“Shtëpia është e ndërtuar në një kodër të Veriut të Mitrovicës, por që nuk ka banjë, kuzhinë apo ujë të pijshëm. Pas kësaj, gruaja e Albertit, Lirijana përgatit çaj kamomil mbi një shporet”, shkruan Die Welt.
Alberti ka dy fëmijë, Dardanin 4-vjeçar dhe Ibrahimin 2-vjeçar, të cilët jetuan bashkë më nënën dhe babanë e tyre në një kamp të Gjermanisë për një vit e gjysmë.
“Alberti para se të merrte rrugën për Gjermani punonte si auto mekanik në Kosovë, por që tashmë ai e ka të vështirë të gjejë një punë. Si njëri prej shumë të tjerëve. Në një shtet ku përqindja e papunësisë është mbi 60”, thuhet në shkrimin e botuar sot nga “Die Welt”.
Pjesë e reportazhit është edhe Sadije Sadiku, një vajzë 20-vjeçare nga Mitrovica e cila kishte lindur në Nordlingen të Gjermanisë, kur familja e saj ishte refugjate atje gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Familja e tyre ishte dëbuar nga shtëpia në Mitrovicën e Veriut, derisa ajo shpjegon se nuk ka mundur asnjëherë të kthehej në shtëpinë e saj në veri.
“Nuk kam qenë kurrë në pjesën veriore të Mitrovicës. Atje është shumë rrezik”, i tha Sadiku gazetarit gjerman.
Ajo tani jeton me nënën e saj që merr një pension prej 57 eurosh dhe vëllanë e saj Bajramin, në periferi të Mitrovicës në një shtëpi që ka një dhomë, me ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Babai i saj punon si punëtor krahu.
Në reportazh shpjegohet po ashtu se Kosova konsiderohet si vend i sigurt i origjinës, që nga viti 2015. /Insajderi.com