×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Dija e humbur e Aleksandrisë

    Insajderi
    20 September 2016 - 21:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkatërrimi i bibliotekës më të famshme të historisë është një tragjedi dhe një mister i përjetshëm. A u humbën mijëra dorëshkrime në një zjarr aksidentale? Apo ishin viktima të një shkatërrimi shumë sistematik, nëpër shumë vite?

    Imagjinoni një bibliotekë universale, ku ishin mbledhur të gjithë librat e botuar ndonjëherë. Vendosur në pirg, në rafte të pafund ndodhej çdo libër i njohur për njerëzimin, në çdo gjuhë. Brenda mureve të saj, ndodhej tërësia e dijeve të njeriut, dhe përgjigjet për pothuajse çdo pyetje të ngritur ndonjëherë. Në epokën e kompjuterëve mund ta quajmë ëorld ëide ëeb. Në kohët e lashta, kjo ishte Biblioteka e Aleksandrisë.

    Në vitin 331 para Krishtit, Aleksandri i Madh themeloi Aleksandrinë si kryeqyteti i ri i Egjiptit. Vetëm disa vite më vonë, dinastia sunduese e Ptolemeut themeloi Muzeun e Aleksandrisë, si një qendër për kërkime shkencore dhe mësimnxënie. Mu pranë saj, ata themeluan Bibliotekën e Aleksandrisë, me një qëllim ambicioz dhe filantropik: Të mblidhnin në një vend, të gjitha veprat e dijes, nga çdo kohë dhe vend, dhe për t’i ruajtur ato për brezat e ardhshëm.

    Nën patronazhin e Ptolemeut, koleksioni i bibliotekës u mblodh me shumë kujdes, gjatë shumë dekadave. Bibliotekarët e saj përfshinin disa nga mendjet më të mëdha të Greqisë: filozofi dhe burri i shtetit, Demetriusi i Falerumit, si dhe poetët Kalimaku nga Kirenea dhe Apolloni i Rodit. Ata ishin në ankth për të krijuar një koleksion me të vërtetë të plotë të njohurive, që shkonin përtej kufijve të Greqisë, me veprat e rëndësishme të popujve jo-helenikë, duke përfshirë shembuj nga tradita hebraike dhe egjiptiane, si dhe himnet Zoroastriane të Persisë së lashtë.

    screen-shot-2016-09-20-at-15-29-41

    Nga mesi i shekullit të tretë para Krishtit, biblioteka mbante rreth 490.000 libra; 200 vjet më vonë, shkrimtari romak Aulus Gellius pohoi se kjo shifër ishte rritur në 700,000. Këto shifra janë vënë në dyshim dhe janë rishikuar. Llogaritje më të matura, u heqin nga një zero të dy këtyre shifrave. Por edhe duke marrë një qëndrim skeptik, shkalla e koleksionit të lashtë duhet të ketë qenë vërtetë mbresëlënëse, dhe kur biblioteka u shkatërrua, një depozitë gjigande e dijes u humb një herë e përgjithmonë për botën. Ne kurrë nuk do të dimë me saktësi se çfarë është humbur, por në një numër shumë të madh rastesh, veprat që u zhdukën ishin sigurisht të pazëvendësueshme, dhe mungesa e tyre ka lënë një boshllëk të jashtëzakonshëm në trashëgiminë letrare dhe shkencore të së kaluarës.

    Zjarri jep goditjen e parë

    Saktësimi se kur u shkatërrua Biblioteka e Aleksandrisë, është një detyrë që ka munduar historianët për shekuj me radhë. Në fakt, ndoshta nuk ka një moment të vetëm dramatik; më tepër, ishte një seri ngjarjesh, dhe kaq të mbështjella me mister e legjendë, saqë duhet të zbërthehen me kujdes, përmes studimit të një rrjeti të gjerë burimesh të lashta.

    Katastrofa e parë mund të ketë ndodhur në vitin 48 para Krishtit, gjatë një luftë për fronin e Egjiptit. Gjenerali romak Jul Cezari ndodhej në Aleksandri për të mbështetur pretendimin e Kleopatrës VII, kundër motrës së saj dhe rivalit Arsinoe IV. Forcat besnike të Arsinoes rrethuan Cezarin në pallatin e fortifikuar të qytetit, që pothuajse me siguri, ishte edhe ndërtesa ku ndodhej biblioteka. Cezari po planifikonte që të transportonte rreth 40.000 dorëshkrime në Romë, por gjatë betejës, një zjarr që nisi aty ku ndodhej arsenali, u përhap me shpejtësi deri ku ndodheshin dorëshkrimet, duke shënuar humbjen e parë të madhe për bibliotekën. Disa burime sugjerojnë se e gjithë biblioteka u shkatërrua si rezultat i këtij incidenti, por kjo duket e pamundur. Disa vjet më vonë Mark Antoni-gjenerali, konsulli, dhe dashnori i mbretëreshës Kleopatra – thuhet se i dhuroi Bibliotekës së Aleksandrisë një numër të madh librash nga biblioteka rivale e Pergamit, ndoshta për të kompensuar ata që u shkatërruan gjatë zjarrit të Cezarit.

    Pluhur mbi rafte

    Vetëvrasja e Kleopatrës në vitin 30 para Krishtit i dha fund dinastisë Ptolemaike. Roma mori shumë shpejt kontrollin formal të Egjiptit, dhe Aleksandria u detyrua të jetojë në hijen e kryeqytetit madhështor perandorak. Kështu nisi një rënie e gjatë dhe e pandalshme për Aleksandrinë dhe librarinë e saj. E megjithatë, fama e saj u zbeh shumë ngadalë. Ajo vazhdoi të tërheqë studentë dhe shkencëtarë të shkëlqyer, si për shembull historiani grek Diodorus Sikulus dhe gjeografi Strabo. Por pa një mbrojtës mbretëror të saj, dhe pa pagesa për të mbështetur zgjerimin e koleksioneve, libraria e humbi vrullin dhe iu desh të braktisë ambiciet e mëdha të totalitetit, për të cilin kishin aspiruar themeluesit e saj.

    Më e keqja do të vinte. Në shekullin e dytë pllakosi e tmerrshmja Murtaja Antonine, e cila shkatërroi popullsinë e Egjiptit. Shekulli i tretë ishte i mbushur me mosmarrëveshje politike dhe konflikte, gjë që shkaktoi një devijim të burimeve. E goditur nga kriza të njëpasnjëshme, libraria nuk po e ruante më peshën e saj.

    screen-shot-2016-09-20-at-15-30-01

    Në vitin 272, perandori romak Aureliani mbërriti në Aleksandri, dhe shkatërruar qytetin, në fushatën e tij për të rivendosur autoritetin romak në lindje. Vetëm disa vjet më vonë, një revoltë në Egjipt vuri kundër njëra-tjetrës, forcat rebele në Aleksandri me legjionet romake të perandorit Dioklecian, duke dëmtuar më tej kompleksin e pallatit dhe, ndoshta, koleksionet e tij të çmuara.

    Pastaj në shekullin e katërt, gjërat shkuan keq e më keq për bibliotekën: Krishtërimi u shpall fe zyrtare e Perandorisë Romake. Kjo pati pasoja të rrezikshme për një institucion, raftet e të cilit ishin të mbushura me njohuritë e paganizmit klasik, pikërisht ai lloj veprash që ofendonin thellë disa lëvizje të të krishterëve. Po gjatë kësaj kohe, të krishterët egjiptianë, si Shën Antoni themeluan komunitete manastiresh, ku murgjit studiues iu kushtuan lutjeve dhe studimit të shkrimeve të shenjta.

    Rezultati ishte se biblioteka e Ptolemeut kishte shumë pak interes për ndjekësit e fesë së re, madje edhe sulmohej fort prej tyre. Ligjet kundër paganizmit të miratuara nga perandori Teodos (347-395) u përdorën nga të krishterët më ekstremë, për të legjitimuar sulmet kundër tempujve dhe institucioneve pagane. Biblioteka e Serapeumit, themeluar nga Ptolemeu Euergetes dhe që shpesh është ngatërruar me Bibliotekën e Aleksandrisë, u shkatërrua në vitin 391, gjatë një masakre anti-pagane të nxitur nga patriarku Teofili. Në vitin 415, filozofja dhe shkencëtarja Hipatia e Aleksandrisë, një nga matematikanet femra më të hershme, si dhe ndoshta përfaqësuesja e fundit e filozofisë Alexandrine, vdiq në duart e një turme murgjish të krishterë, të nxitur nga pasardhësi i Teofilit, Kirili. Biblioteka e vlefshme duket se u zhduk bashkë me të, pasi gjatë kësaj kohe, teologu iberik Orosi, pohon se, kur ai vizitoi qytetin, nuk gjeti as edhe një dorëshkrim të vetëm në tempull, por vetëm rafte bosh. Shumë larg pra, nga kulmi i Aleksandrisë, si një qendër e dijes dhe mësimit.

    Edhe pse biblioteka nuk ishte shkatërruar plotësisht, nuk ka dyshim se në dekadat në vijim, rënia e saj u përshpejtua. Qyteti u shpartallua nga dhuna herë pas here, teksa luftërat pothuaj konstante dhe ato për pushtet e bënë gjithnjë e më të vështirë ruajtjen e dorëshkrimeve. Në fillim të shekullit të shtatë, një luftë civile e përgjakshme shpërtheu, për fronin e Bizantit. Betejat mes uzurpatorit, Fokas, dhe perandorit bizantin Herakli, lanë një gjurmë shkatërrimi në Aleksandri. Më pas, në vitin 618, pati shkatërrime të mëtejshme, kur Egjipti u pushtua nga persët gjatë luftës epike finale midis perandorive bizantine dhe sasanide. Nën udhëheqjen e Herakliut, Egjipti u rimor dhe persët u nënshtruan në vitin 627. Por edhe me fitoren, kostoja e madhe e luftës 20-vjeçare, në njerëz dhe materiale, do të kishte pasoja shkatërruese për bibliotekën, pasi nga ai moment, askush nuk kishte forcën për t’i rezistuar një tjetër pushtuesi të madh: Islamit.

    Arabët marrin Aleksandrinë

    Goditjen përfundimtare libraria duket se e mori në vitin 642. Ushtritë arabo-myslimane të Kalifatit Rashidun vërshuan nëpër perandorinë e dobësuar perse, dhe morën territoret përreth Bizantit. Egjipti u humb i tëri. Vetë Aleksandria u mor nga një ushtri myslimane,e  udhëhequr nga Amr ibn al-As, gjenerali që sipas legjendës, shkatërroi librarinë me urdhër të Kalifit Umar.

    historia u përshkrua me hollësi nga një doktor dhe peshkop i krishterë i shekullit të 13, Bar Hebraeus. Ai përmend madje edhe një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar librat e librarisë. Sipas Bar Hebraeus, gjenerali arab ishte një njeri i arsyeshëm dhe me kulturë. Ai dëgjoi lutjet e teologut Gjon Filoponus dhe i dërgoi një letër Kalifit Umar, ku i kërkonte udhëzime se çfarë të bënte me librat.  (www.bota.al)

    Umari u përgjigj: “Nëse përmbajtja e tyre është në përputhje me librin e Allahut, mund të bëjmë edhe pa ta… nëse, nga ana tjetër, ata kanë përmbajtje që nuk është në përputhje me librin e Allahut, atëherë nuk ka nevojë të ruhen”. Urdhëri u zbatua. Burime arabe të shkruajtura pas kësaj ngjarjeje konfirmojnë shkatërrimin e librarisë; një prej tyre thotë madje se librat u përdorën si lëndë djegëse për të ngrohur banjat e qytetit. U deshën gjashtë muaj që të digjeshin të gjithë.

    Megjithatë, janë hedhur shumë dyshime mbi këto rrëfime. Në shekullin 18, historiani anglez Eduard Gibon e konsideronte të pagjasë këtë histori, duke sugjeruar se ishte një fabrikim, për të larguar fajin nga fajtorët e vërtetë: të krishterët. Të tjerë autorë thonë se teologu Gjon Filoponus, që thuhet se ndërhyri për të shpëtuar dorëshkrimet, vdiq shumë kohë para pushtimit arab. Të tjerë sugjerojnë se në kohën kur erdhën myslimanët, në librari nuk kishin mbetur më libra për t’u shkatërruar.

    Cilado qoftë e vërteta, të gjithë gjurmët e Bibliotekës së Aleksandrisë janë humbur, duke përmbushur kështu që duket se ka qenë fati i shumë librarive të mëdha botërore: viktima të dhunës, intolerancës dhe kundërshtive. Incidente të tilla nuk janë të kufizuara në të kaluarën e largët. Në 18 dhjetor 2011, libraria e Institutit Shkencor Egjiptian u dogj. Në të ndodheshin 20 mijë dokumenta, që nga shekulli 18 – duke përfshirë dhe një origjinal të rralë të “Description de l’Égypte”, seria e librave të shkruar nga studiues francezë, që ndihmuan për të nxitur rizbulimin e kulturës egjiptiane në shekullin 19. /NG History – www.bota.al

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark