Ardita Sinani u emërua këshilltare politike e kryeministrit Albin Kurti, për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Ky vendim hyri në fuqi ditën e djeshme, pasi u nënshkrua nga i parti i ekzekutivit, shkruan Gazeta Insajderi.
Zyrën të cilën do ta koordinojë Sinani, do të jetë në funksion të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve në këto komuna.
“Kjo zyrë do të jetë në funksion të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve në këto komuna, ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe shtimin e bashkëpunimit institucional për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të tyre, si nevojë dhe domosdoshmëri e kohës”, thuhet në njoftim e qeverisë.
Ardita Sinani është njëherit nënkryetare e Partisë për Veprim Demokratik.
Por, si qëndronin raportet e Sinanit me Kurtit dikur?
Në mars, të vitit 2019, kur kryeministrit Albin Kurti mbante pozitën e opozitarit, ish-kryetarja e Preshevës ishte deklaruar e zhgënjyer me të.
Aso kohe, kryetari i Vetëvendosjes, Kurti doli kundër bashkimit të Luginës me Kosovën.
Kjo deklaratë kishte zhgënjyer Sinanin, e cila kishte besuar se ideologjia e Kurtit për Bashkim Kombëtarë do ta shtynte atë ta përkrahte edhe idenë e bashkimit të Luginës me Kosovën.
“I lexueshëm. Kam pasur para se të takohem me Kurtin, se ne nuk e kemi luksin të bëjmë përzgjedhje se kënd kemi raporte më të mira. Kemi pasur kontakte me institucionet në vazhdimësi, dhe me opozitën më pak kontakte. Unë kam pritur nga Kurti për shkak të ideologjisë që kanë qef për bashkim kombëtar, kam pritur që do ta përkrahë idenë e bashkimit të Luginës me Kosovën. Nuk do të ketë bashkim kombëtar pa Luginën”, pati thënë ajo.
“Kam pritur nga VV-ja të jenë më të zëshëm, të kërkojnë fuqishëm bashkimin e Luginës, jam e zhgënjyer. Të gjithë shqiptarët e Luginës, kushdo që del kundër bashkimit jemi të zhgënjyer”, kishte deklaruar Ardita Sinani.
Sinani kishte shkuar edhe më larg, duke i reaguar ashpër Kurtit, siç thoshte ajo shqiptarët e Luginës janë më të rëndësishëm se tri komunat në veri.
“Nuk duhet t’i dhimbet Leposaviqi për shqiptarët. 100 mijë shqiptarë të Luginës janë më të rëndësishëm se Leposaviqi e Zubin Potoku. Nuk duhet. Jo vetëm Kurti, por të gjithë nuk duhet të ndihen keq nëse arrihet një korrigjim i tillë. Shqiptarët e Luginës janë më të rëndësishëm se tri komunat në veri”, kishte deklaruar Ardita Sinani.
Reagimet kundër emërimit të Ardita Sinanit
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës do të donte të ndihmonte shqiptarët e Luginës atëherë do të emëronte dikë apartiak.
“Sikur Kryeministri të ishte i sinqertë në qëllimin e tij për të ndihmuar shqiptarët e luginës nuk do të emëronte znj Sinani, për shkak se Ardita është kryetare e një subjekti politik në Preshevë. Sikur Kurti të ishte i sinqertë në qëllimin do të emëronte dikë a partiak. Së paku formalisht, zonja Sinani, para se ta publikonte vendimin për emërim si këshilltare politike në Qeverinë Kurti, do të duhej ta kishte publikuar dorëheqjen si Kryetare e PVD-së në Preshevë”, tha Çitaku.
Ndërsa, Kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi, ka thënë se Kurti në vend se të krijojë unitet në Luginë të Preshevës, krijon përçarje në vazhdimësi.
“Në vend se të krijojë unitet në Luginë të Preshevës, krijon përçarje në vazhdimësi, vendos marrëdhënie me një parti, për shkak se Sinani është kryetarja e partisë së vetme në Preshevë, është në një parti e cila është humbëse e të gjitha zgjedhjeve”, kishte thënë Arifi për mediat.
Ndonëse, jo direkt për emërimin e Sinanit, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj i ka reaguar Kurtit për promovimin e zyrës për Luginën.
Sipas Selmanit, qysh në Qeverinë Hoti, ishte votuar themelimi i zyrës për Luginë.
“Adoleshenca politike dhe logjika primitive e disa politikanëve ballkanas i dërgon të tillët në përfundimet se historia e një vendi fillon me ta dhe nga ta. Albin Kurti promovon si ide dhe vendime të reja diçka që para dy vitesh Qeveria Hoti i ka marrë”, kishte shkruar Selmanaj.
Më 28 shtator 2020 Qeveria Hoti kishte marrë vendim për themelimin e Zyrës që ofron asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës.
/GazetaInsajderi/