Të rralla janë fotografitë në të cilat Kurti shihet i buzëqeshur. Shumica e fotografive prej së është bërë kryeminister e shfaqin Kurtin nervoz.
Shumëkush ka pritur se do të dukej shumeë, shumë i ngrysur nëse do të takonte shefin e EULEX’it, misionit të cilin Kurti si opozitar e kundërshtonte.
Partia e tij ia rrotullonte veturat këtij misioni në shenjë pakënaqesie.
Por, ka ndodhur e kundërta. Kurti shihet i lumtur. I buzëqeshur.
Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, është takuar sot me kryeministrin Albin Kurti, në lojërat “Para Sports Games 2022”, që po zhvillohen në Prishtinë.
Wigemark shkroi se si gjithmonë, ai dhe Kurti patën një diskutim inspirues.
“Si gjithmonë, një diskutim frymëzues me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin. Këtë herë në margjinat e lojërave “Kosova Para Sports Games 2022”, u shpreh Wigemark në Twitter.
Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje, në vitin 2009 kishte zhvilluar një aksion tubues kundër misionit EULEX në Republikën e Kosovës, i cili precipitoi në arrestimin nga Policia të 21 aktivistëve.
Albin Kurti, kreu i Lëvizjes, tha atëkohë se EULEX-i është mision i cili i është vendosur përmbi institucioneve të Kosovës.
Kurse e akuzoi se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, është përmbi dhe imun ndaj ligjit të Kosovës, si dhe punon haptazi për tia hapur rrugën zbatimit të planit 6 Pikësh dhe shtrirjes së Serbisë brenda Kosovës.
Emrat e aktivistëve të arrestuar pas rrëzimit të 25 veturave të EULEX-it:
Salih Zyba, Ramadan Veliu, Naser Shatri, Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Kujtim Kosumi, Salih Mehmeti, Fatmir Haziri, Asdren Peci, Arbër Nuredini, Kasim Uka, Bujar Voca, Rron Gjinovci, Faruk Daka, Skënder Mërtyri, Flamur Arifi, Pajtim Demaj, Lirim Gashi, Fatmir Kurti, Kushtrim Zeqiri, Arbër Vokrri, Skender Blakaj