Dikur ishin vendosur kamera kineze, per çka reagoi edhe Qeveria. Tash, Komuna e Prishtinës nën drejtimin e Përparim Ramës së LDK-së po akuzohet se po ia bën gati një tender 10 milionësh një kompanie që pritet të instaloj pajisje kineze në një projekt për kursimin e rrymës. Ky tender vije pas një takimi të Ramës me zyrtar kinez në Prishtinë që e zbuloi Insajderi. Cili është interesimi i kinezve për kryeqytetin kosovar? Sa janë të rrezikshme për sigurinë nacionale këto pajisje, që fuqishëm i do larg ShBA-ja? Detajet i sjell Insajderi.
Komuna e Prishtinës në tenderin 10 milionësh i ka hapur rrugë firmave kineze në Kosovë. Tenderi “Programi për ofrimin e shërbimeve të energjisë në ulje të shpenzimeve financiare në Komunën e Prishtinës SIPA UA 06 2021”, rrezikon sigurinë nacionale.
Por, ky nuk është bashkëpunimi i vetëm i Prishtinës, me kompani kineze, pasi edhe në kohën sa kryetar ishte Shpend Ahmeti ishin vendosur kamera kineze. Për çka kishte pasur edhe reagime.
Në gusht të 2020-së u vendosën monitorët e parë digjitalë në stacionet e autobusëve urban në Prishtinë, për të shfaqur orarin e transportit urban. Këta monitorë kanë të instaluar edhe kamera.
Kamerat që ishin vendosur janë nga MIPS që është ndërmarrja kineze e monitorëve.
Ndërsa në vitin 2022 Qeveria e Kosovës kishte analizuar kontratat për kamerat kineze.
Dy lloje kamerash Dahua dhe HikVision, që të dyja kompani kineze, të sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin të vendosura në disa institucione, përfshirë objektin e Qeverisë së Kosovës dhe atë të Prokurorisë së Shtetit.
Qeveria e Kosovës në atë kohë kishte thënë se “është interesuar për këtë çështje”.
“Bëhet fjalë për kontrata të trashëguara nga qeveritë e kaluara. Ne do t’i shohim ato dhe do të analizojmë aspektin e sigurisë të produkteve që ato kontrata ofrojnë”, thuhej në përgjigjen e Qeverisë.
Sa janë të rrezikshme për sigurinë nacionale këto pajisje?
Tenderi 10 milionësh i Komunës së Prishtinës “Programi për ofrimin e shërbimeve të energjisë në ulje të shpenzimeve financiare në Komunën e Prishtinës SIPA UA 06 2021”, rrezikon sigurinë nacionale.
Opozita në Prishtinë ka akuzuar Ramën se po favorizon firmën kineze. Këto kritika vin në kohën kur Rama zhvilloi një vizitë “fshetas” me zyrtar kinez. Ndërsa në Gjykatën e Tenderëve tashmë është dorëzuar ankesë për diskriminim në kritere.
Me këtë tender komuna e Prishtinës po favorizon kompani kineze. Kjo po vlerësohet si rrezikim i sigurisë kombëtare të Kosovës.
Firmat kineze të teknologjisë të cilave po i beson Prishtina, nuk konsiderohen të besueshme as nga SHBA-ja. Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar shitjen dhe importin e produkteve të reja të komunikimit nga disa kompani kineze të teknologjisë së informacionit, shkruan Insajderi.
Këto kufizime në Shtetet e Bashkuara vijnë për të kufizuar aksesin e firmave kineze të teknologjisë së informacionit në tregun amerikan.
Në vitin 2010, në Kosovë është miratuar Ligji për Zbatimin e Sanksioneve Ndërkombëtare.
Bazuar në këtë ligj, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim më 23 shkurt të vitit 2021, për t’i zbatuar “sanksionet ekonomike ndërkombëtare ndaj entiteteve dhe personave fizikë, sipas listave të sanksioneve të vendosura nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Ndërkohë, Gezim Mehmeti, asamblist nga AKR- ja në seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës, të kishte alarmuar se po rrezikohet siguria kombëtare me tenderin 10 milionësh të Komunës.
“E ndaluar është që të përmendeni brende. Po favorizohet një vend që nuk është miqësor me Kosovën. Mundet me krijo kaos dhe me rreziku sigurinë“, tha ai.
Ndërsa kryetari, Rama në përgjigje i ishte falënderuar asamblistit dhe tha se do interesohet për rastin.
Por, Komunës së Prishtinës përveç në Kuvend Komunal, telashe lidhur me kontratën i kanë dal edhe në Gjykatën e Tenderëve.
Pasi një ankesë është dorëzuar ndaj Komunës së Prishtinës, për kritere diskriminuese.
Sipas operatorit ekonomik ” AMBIENTI ” SH.P.K.”, kriterët e vendosura cungojn konkurrencën.
“Pas njoftimi per kontrat ne kemi pare se AK ne DT ka vendosur kritere diskriminuese dhe
qe ne mase te madhe ka diskriminuar shum OE perfshir edhe neve kritere si PSH: Operatori ekonomik (Shërbyesit e energjisë) duhet të ofrojë dëshmi se ka përfunduar
me sukses se paku dy projekte për ndriçim publik Smart(SCADA) sipas nenit 5 pika 1.4 te
UA(ME) Nr. 06 2021, ne vlerë jo me pak se 2,000,000.00€“, shkruhet në ankesën në OSHP.
Përparim Rama dhe lidhjet me zyrtar kinezë
Akuzat ndaj Komunës së Prishtinës, janë pikërisht në kohën kur i pari i kryeqytetit, Përparim Rama takoi zyrtar kinez.
Më 11 prill, në mes të ditës Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kishte mbajtur një takim me Cheng Lei, Shef i Zyrës së Republikës Popullore të Kinës në Kosovë.
Vetëm pasi që Gazeta Insajderi kishte dërguar pyetje, Përparim Rama vendosi që ta bënte publik takimin e përfaqësuesin e Republikës së Kinës në Kosovë.
Por, ende nuk ka dhënë përgjigje se pse e mbajti te fshehtë këtë takim. Para se ti takonte krye-kinezin në Kosovë, Rama vizitoi Tajvanin, regjionin që ka tensione serioze politike me Pekinin zyrtar, por ende nuk ka treguar se kush e kërkoi takimin e 11 prillit.
Mysafirve kinez iu dhanë simboli i Prishtinës, “Hyjnesha në Fron” dhe nga një kopje e revistës “Prishtina”. /insajderi.org/