Rasti i ashtuquajtur “stenta”, ku thuhet të jenë implikuar një numër i mjekëve të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), ka sjellë vendimin për largim të përkohshëm nga pozita menaxheriale të drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë.
Bordi drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar të premten, se duke u bazuar në shkresën zyrtare nga Kryeprokuroria e Shtetit, lidhur me personat ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë në rastin e quajtur “stenta”, ka marrë vendim për largim të përkohshëm nga pozita menaxheriale të këtyre dy personave.
Ndërkohë që, dorëheqjen tashmë e kanë paraqitur edhe drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, pastaj dy shefa të reparteve në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren dhe një në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë Blerim Syla, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se vendimi i Bordit është “joligjor”, meqë nuk ka, siç tha ai, një “aktvendim përfundimtar” të organeve të drejtësisë.
“Sa unë kam informacione, bordi i ka shkarkuar jo ligjshëm, pasi këta janë zgjedhur sipas Ligjit të punës dhe jo sipas Ligjit për shërbyesit civil. Dhe shkarkimi i menaxherëve, nuk mund të bëhet në këtë mënyrë. Duhet bazuar në ligj, gjë që këta nuk janë bazuar. Andaj, mendoj se e gjithë kjo është vendim politik”.
“Nëse përpos menaxherëve, edhe 40 kardiologë marrin vendim ta lëshojnë punën, pasi që kanë të njëjtat akuza, atëherë shëndetësia kosovare, saktësisht Departamenti i Kardiologjisë do të jetë në kolaps”, ka deklaruar Syla.
Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës mori vendimin duke u bazuar mbi një shkresë të drejtorit të përgjithshëm të këtij Shërbimi, Curr Gjocaj, në të cilën kërkohej “shkarkimi i menaxherëve të institucioneve publike shëndetësore”, pas ngritjes së aktakuzës nga Kryeprokurori i Shtetit për rastin, që njihet si “rasti stenta”.
Por, në njoftim të zyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar thuhet se drejtori i përgjithshëm, Curr Gjocaj, paraprakisht ka njoftuar bordin drejtues nga i cili ka marrë përkrahjen e plotë për veprime ligjore konform kompetencave të tij.
Drejtori i Klinikës Kardiologjike të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Gani Bajraktari, para vendimit të bordit i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se nuk do të jepte dorëheqje meqë “nuk e ndjen veten fajtor për akuzat”.
“Akuzat janë të paqëndrueshme. Unë nuk kam aktakuzë zyrtare dhe mendoj se këto janë vendime të ngutshme dhe të jashtëligjshme të bordit. Kulmi i gjitha ligjeve është Kushtetuta dhe ajo e pranon në mënyrë decidive pafajësinë deri në verdiktin final”, kishte thënë Bajraktari për Radion Evropa e Lirë.
Kërkesa e drejtorit të përgjithshëm, Curr Gjocaj, për shkarkim, u bë pas insistimit të ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, që të gjithë “të akuzuarit nga kryeprokurori, të japin dorëheqje, për t’i lënë hapësirë drejtësisë, ose në të kundërtën, drejtori Gjocaj duhet të ndërmarrë veprime ligjore”.
Kryeprokurori i Shtetit, pak javë më parë ngriti aktakuzë ndaj 64 personave, në mesin e të cilëve edhe ndaj ish-ministrit të shëndetësisë Ferid Agani dhe mbi 40 mjekëve të SHSKUK-së, për, siç thuhet, shpërdorim detyre dhe të fondeve për dërgimin e pacientëve për shërim jashtë institucioneve publike shëndetësore.
Kjo aktakuzë e ka detyruar ish-ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani, të japë dorëheqje, ndërkohë që sekretari i Përgjithshëm i së njëjtës ministri është shkarkuar. /REL