Që nga kalimi i Adelina Graincë në partinë e Albin Kurtit ngritja e saj ka vazhduar, duke u bërë edhe nënkryetare e dytë e degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, derisa Dimal Basha e ka lëshuar bajrakun duke mos konkurruar fare për asnjë pozitë partiake në komunën prej nga vjen.
Gazeta Insajderi
Dimal Basha një nga deputet më të zëshëm të partisë së Albin Kurtit, mbrëmë se tha asnjë fjalë për procesin e zgjedhjeve të brendshme që ndodhi në qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, qytet nga i cili vjen ai.
Kjo për faktin se një nga deputetet të cilën Basha e kritikoi më së shumti mori pozitë shumë të rëndësishme në VV.
Bëhet fjalë për Adelina Graincën, e cila u zgjodh nënkryetare e dytë e degës së partisë në Ferizaj.
“Anëtarët me portofol të kryesisë së Qendrës janë: Sekretar organizativ, Shpend Hysaj Nënkryetare e dytë, Adelina Grainca Kryesues i Këshillit, Brahim Osmani”, thuhet në njoftimin e Lëvizja Vetëvendosje-Ferizaj, shkruan Gazeta Insajderi.
Për këtë ngjitje të Graincës në partinë e Albin Kurtit, bashkëkolegu i saj, Basha nuk bëri asnjë koment, pavarësisht se në të kaluarën kundër familjes së saj fliste më zë të lartë.
Më shumë se një vit më parë në një status të gjatë, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, pati kritikuar mafinë e betonit në Ferizaj
“Prej që jam kthy me jetu ne Kosovë në vitin 2017 nuk jam ndal duke fol kundër mafisë së betonit. Kam fol kundër ndërtesave që s’plotësojnë asnjë kriter. Janë blloqe betoni që ia kanë zënë hijen qytetit, pa asnjë hapësire të gjelbër, e në shumë raste nuk kanë as hapësirë për kanta bërlloku”, shkruante Basha.
“Kam fol gjithashtu kundër baltës që kamionët e bartin nga punishtet në rrugë, dhe pastaj ne e hamë atë baltë e pluhur gjatë gjithë vitit. Komplet qyteti është bërllok, baltë e pluhun gjatë krejt 365 ditëve. Pra ndërtojnë për vete, derisa shkatërrojnë për ne”, thoshte tutje deputeti, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas tij për krejt reagimet, pati marrë kërcënime për një kohë të gjatë.
“Edhe sot ende lënda është aktive në Gjykatë ku jam paditur nga i njohur në rrethinë si babadimri Grainca [Mustafa Grainca]. Dhe sa për kujtesën tuaj, gjatë gjithë kësaj kohe SHUMICA kanë qëndruar t’heshtun, kurse një pjesë bile kanë vazhduar me ia bë argatin lehtësuesit të mafisë së betonit duke thënë që “Agimi është burrë i mirë.”
Pikërisht për këto akuza, Basha ishte paditur nga Grainca, dhe rrezikon të dënohet për shpifje. Grainca kishte a kërkuar nga ai 65 mijë euro dëmshpërblim për shpifje.
Rasti Basha-Grainca ishte kthyer në rigjykim dhe do të vijojë në Gjykatën e Ferizajt, pasi Gjykata Supreme ka rrëzuar dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, duke i dhënë të drejtë paditësit, këtë rast Mustafa Grainces, shkruan Gazeta Insajderi.
Gjykata Supreme, në një aktvendim të nxjerrë më 25 janar, rrëzoi aktgjykimet e dy shkallëve të para dhe e ktheu lëndën në rigjykim.
“Pranohet si i bazuar revizion i paditësit ,PRISHEN aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës Acnr, 444/21 i datës 10. 2021, dhe ai i Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departament Përgjithshëm, C nr 808/19, të datës 16 12 2020, dhe lënda i kthehet gjykatës së shkallës së parë në vendosje”, thuhet në aktvendimin e Supremes.
Në aktgjykimin të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, Gjykata Supreme, vlerëson se Gjykata Themelore në Ferizaj “duhet të vendosë lidhur me kërkesëpadinë e paditësit”.
“Meqenëse paditësi me datën 24.12.2020 ka paguar taksën shtesë për padi, gjykata e shkallës së parë pas administrimit të provave të propozuara dhe vlerësimit të tyre duhet të vendos lidhur me kërkesëpadinë e paditësit”, thuhet në aktgjykim.
Në një aktvendim të 10 shkurtit të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore që e cilësonte si të “tërhequr padinë e paditësit kundër të paditurit Dimal Basha”.
Sipas aktvendimit fillestar të Gjykatës Themelore, me konsiderimin e padisë si të tërhequr, deputeti Basha kishte paditur Graincën që të paguajë shpenzimet e procedurës civile.
“[…] ndërsa në pikën II e ka detyruar paditësin që të padituri t’ia paguajë shpenzimet e procedurës në shumë prej 1.558.00 Euro, brenda afatit prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktvendimit, nën kërcënim të përmbarimit”, thuhet në aktvendim.
Krejt këto akuza dhe kundërkuaza ishin bërë vetëm pak kohë para se deputetja Adelina Grainca të kalonte nga Partia Demokratike e Kosovës në Lëvizjen Vetëvendosje.
“Largimi nga PDK-ja ka qenë për shkaqe politike. Nga prezantimi i emrit tim në kryesi (të PDK-së, dega Ferizaj) e deri më tani, nuk kam gjetur përkrahje. E gjithë kjo për shkak të moshës si dhe mungesës së përvojës në sferën e politikës”, pati thënë Grainca, shkruan Gazeta Insajderi.
Kalimi i saj në partinë e Kurtit ishte bërë më më 4 prill 2021, pikërisht në kohën kur LVV po luftonte që t’i siguronte kuorumin Vjosa Osmanit për presidente të vendit.
Dhe, që nga ajo kohë ngritja e Graincës ka vazhduar, duke u bërë edhe nënkryetare e dytë e degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, derisa Basha e ka lëshuar bajrakun duke mos konkurruar fare për asnjë pozitë partiake në komunën prej nga vjen./Gazeta Insajderi/