Dimri i Vetmisë së Madhe të Putinit - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Dimri i Vetmisë së Madhe të Putinit

    Insajderi
    12 March 2022 - 08:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Ervin Qafmolla

    Me pushtimin që nuk po shkon siç duhet, i goditur nga sanksionet dërrmuese të Perëndimit, i bojkotuar nga vendet demokratike dhe i dezertuar nga ata që i pandehte aleatë, Presidenti Putin po izolohet përherë e më shumë brenda ambicieve të tij të pasuksesshme dhe një paranoje që vetëm rritet.

    Flakë dhe gjak mbi dëborë

    Dimri ende nuk ka mbaruar në Ukrainë. Një valë e re i ftohti u raportua nga shërbimet meteorologjike. Mediat, nga ana e tyre, raportuan që ushtarët rusë po ngrinin brenda tankeve të parkuara në fushat e ngrira të Ukrainës armiqësore. Kur nata bie, temperatura luhatet në rreth -10 gradë dhe kur fryn erë shkon deri në 20 gradë nën zero. Këto janë vetëm disa nga vështirësitë rrethanore.

    Kulla e një tanku rus të shkatërruar në Ukrainë

    Me një ushtri katërfish më të madhe dhe në disa aspekte më të përparuar, makineria ruse po has një rezistencë të paparashikuar përballë mbrojtjes ukrainase. Që në javët e para të mësymjes, Pentagoni vlerësoi që 2000-4000 trupa ruse mund të ishin vrarë në luftë, ndërsa zyrtarë të tjerë amerikanë vlerësojnë se numri tashmë mund të ketë shkuar deri në 6000. Shto këtu edhe homologun e tij armik, Volodimir Zelenski, i cili në harkun e dy javëve u shndërrua nga një ish-komedian me famë lokale në hero botëror, shkruan A2 CNN.

    Më 10 mars, Drejtori i CIA-s, Ulliam Burns, dëshmoi para Komitetit të Inteligjencës së Senatit të Shteteve të Bashkuara, mbi situatën në Ukrainë, Rusinë dhe Putinin specifikisht. Ai tha se kjo është një luftë që Putini nuk mund ta humbasë. “Është një bindje e thellë personale për të, ai ka qenë duke gatuar një kombinim eksploziv të mërisë dhe ambicies prej shumë vitesh”, theksoi Burns, raporton A2 CNN.

    Drejtori i CIA-s Uilliam Burns dëshmon para Senatit Amerikan

    Në fakt, në një dalje televizive, më 3 mars, Putini tha se përparimi i trupave ruse në Ukrainë po shkonte “sipas planit”. Ai shtoi se familja e çdo ushtari të vrarë do të shpërblehej me 65 mijë dollarë, dhe çdo i plagosur, 40 mijë.

    Që tani, me vetëm dy javë në konflikt, fatura për rreth 6000 të vrarë dhe 15 000 të plagosur, vërtitet afër 1 miliardë dollarëve. Kjo shifër nuk është asgjë përballë tablosë më të madhe të goditjes ekonomike që Rusia ka nisur të përjetojë. Dhe ky mund të jetë vetëm preludi i një dimri të gjatë për Presidentin rus, teksa pranvera ka nisur të trokasë, shkruan A2 CNN.

    Sanksione, sanksione… dhe më shumë sanksione

    Lufta është një nga aventurat më të kushtueshme të çdo diktatori, dhe në rastin e Vladimir Putin, vlerësimet paraprake flasin për një kosto prej 20 miliardë dollarësh në ditë. Ky është përfundimi nga një analizë e realizuar nga Qendra për Rimëkëmbje Ekonomike dhe agjencitë konsultuese Civitta dhe EasyBusiness, i cili nuk përllogarit vetëm koston e luftës në terren, por të gjithë faktorët që orbitojnë rreth saj.

    Qytetarët rusë presin pranë bankomateve në radhë të gjata

    Situata dramatike e ekonomisë ruse sa vjen e rëndohet nga sanksionet e pandalshme dhe sakatuese ndërkombëtare. Lista e tyre është tejet e gjatë dhe efektet të pallogaritshme. Rusia është shumë e integruar në sistemin financiar ndërkombëtar, dhe ndërkaq, radhët e gjata të qytetarëve rusë që presin nëpër të tërhequr para të thata nga bankomatet janë bërë një skenë e zakonshme në rrugët e qyteteve të mëdha. Por kjo është vetëm një fotografi nga goditja e vërtetë pas kamerave, raporton A2 CNN.

    Sa për paralelizëm, Grupi Ekonomik i Ekspertëve (EEG), një qendër analitike e pavarur që ndihmon qeverinë ruse, përllogariti se lufta e parë në Ukrainë e Putinit, i kushtoi vendit deri në vitin 2016, rreth 170 miliardë dollarë nga sanksioneve dhe 400 miliardë dollarë nga të ardhurat e humbura nga nafta dhe gazi. Shkalla e efekteve të sanksioneve aktuale parashikohet të jetë shumë herë më e madhe, dhe pasojat pritet të jenë rrënuese.

    Eksodi i kompanive ndërkombëtare

    Vështirë të gjendet ndonjë markë globale që ende nuk e ka braktisur tregun rus. Kompanitë e shfrytëzimit të naftës dhe gazit – eksporti kryesore të Rusisë, kompanitë perëndimore të veturave, kompanitë e modës, ato të ushqimeve dhe pijeve të ndryshme, si Coca-Cola, të tjera si Netflix, Apple, Microsoft, Google, Adidas, Swatch dhe Airbnb. Lista sa vjen dhe shtohet.

    Apple është një nga kompanitë që ka braktisur Rusinë

    Rusia miratoi një akt normativ brenda natës që i pengonte kompanitë ndërkombëtare të shisnin aksionet e tyre ruse. Por ky vendim vetëm sa përpiqet të arnojë një vrimë të madhe në ekonominë ruse, pa arritur të frenojë hemorragjinë e kapitalit perëndimor nga vendi. Sipas së pavarurës “The Moskow Times”, “30 000 moskovitë u vunë në rresht në Sheshin ‘Pushkin’ për të shijuar një copë Perëndim, kur McDonald-i i parë hapi dyert në Moskë, më 1990”. Sot, tre dekada më vonë, gjiganti amerikan i “fast-food”-it ka mbyllur 847 njësi nëpër Rusi, duke krijuar mijëra të papunë, shkruan A2 CNN.

    Klientë sovjetikë presin në radhë të gjata para pikës së parë të McDonald të hapur në Moskë, viti 1990

    Artikulli i gazetës moskovite citon edhe një studim të Yale School of Management, i cili deri në datën 10 mars, llogariste se mbi 300 kompani ndërkombëtare janë tërhequr nga Rusia, duke shkaktuar mijëra dhe mijëra të papunë. Në fund të çdo artikulli në faqen e “The Moskow Times”, gjendet një shirit i verdhë ku shkruhet: “Media ruse është nën sulm. Të patën 10 media të pavarura janë bllokuar apo mbyllur për shkak të raportimit të luftës në Ukrainë. “Moskow Times” ka nevojë për ndihmën tuaj më shumë se kurrë më parë, ndërsa vazhdojmë të mbulojmë këtë pushtim shkatërrimtar dhe efektin e pamat mbi shoqërinë ruse.”


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark