Organizata PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim në mbështetjen e Komisionit Evropian, kanë organizuar të shtunën një aksion vetëdijesues kundër ndotjes së ajrit, me rastin e shënimit të Ditës së Tokës në sheshin Nënë Tereza të Prishtinës.
Aktivitetet u mbajtën nga ora 10:00 deri në ora 14:00 dhe filluan me vendosjen e një peme “të ndotur” e cila ishte e dekoruar me thëngjill duke simbolizuar kështu problemin që vjen gjatë dimrit. Afër pemës ishte një hapësire të rregulluar për informimin e qytetarëve ku ofroheshin broshura dhe dhuroheshin maska për mbrojtje ndaj ndotjes së ajrit.
Gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur edhe matje të drejtpërdrejta të cilësisë së ajrit ku qytetarët informoheshin për gjendjen aktuale dhe mund të bënin krahasimin me të dhënat e matjeve të ndotjes gjatë muajve dimërorë.
Qëllimi kryesor aksionit ishte vetëdijesimi i qytetarëve për rëndësinë që e ka ajri në shëndet, ajër i cili në Prishtinë gjatë dimrit po kalon çdo vit suazat e normales duke sjellë edhe kështu sëmundje dhe 835 vdekje të parakohshme sipas raportit të bankës botërore.
“Përmes sloganit ‘Winter is Coming’ (Dimri po vjen) duam të paralajmërojmë qytetarët që edhe pse pranvera po sjell ajër më të mirë, dimri do të kthehet përsëri me ajrin e ndotur dhe shumë të dëmshëm për qytetarët”, tregon Sihana Bejtullahu, zyrtare e projektit “MakingSense”.
Maskat që janë dhuruar janë dizajnuar nga anëtarët e projektit me ngjyra të ndryshme pranverore. Por i është dhënë mundësia qytetarëve që ta bëjnë vetë dizajnimin e maskave të tyre.
Të interesuar dhe plotë kureshtje ishin fëmijët, të cilët ndalonin dhe ngjyrosnin vetë maskat e tyre, dhe njëkohësisht informoheshin për gjendjen e ajrit në Kosovë, e posaçërisht Prishtinë.
Aksioni u përcjell edhe me dy performanca të muzikës klasike, njëra nga ora 11:00 dhe tjetra nga ora 12:00, nga dy vajza me violinë dhe violonçel.
Të dy vajzat të ulura afër pemës me copëza thëngjilli mbanin maska kundër ndotjes dhe luanin muzikë të bukur e melankolike duke tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve të cilët ndalonin për ti dëgjuar, dhe afroheshin për informim.
Përveç tjerash PEN përmes aksionit u bën edhe ftesë institucioneve përgjegjëse që të marrin masa dhe të veprojnë për zvogëlimin e nivelit të ndotjes, sidomos gjatë stinës së dimrit.
Projekti “MakingSense” është projekt inovativ i cili ka filluar në mars të vitit të kaluar me qëllim të vetëdijesimit aftësimit të qytetarëve që të masin vetë gjendjen e mjedisit, dhe së bashku me akterë kryesorë të bëjnë ndryshime pozitive në fushën e mjedisit.
Projekti ka pasur edhe shumë sukses me kampanjën e fundit të tyre me kukulla të vendosura në shesh të cilat mbanin pllakate me thirrje dhe slogane ndërgjegjësuese./Insajderi.com