×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Diploma të falsifikuara, punësimi i resë, mbesës e “balldëskës” – denoncimi që ngre dyshime për afera në Universitetin Publik të Pejës

    Insajderi
    26 January 2022 - 18:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, kanë pranuar një letër- denoncim me një numër ankesash që vijnë nga profesor e studentë të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë. Përmes saj denoncohen ndër të tjerash falsifikim diplomash e punësime familjare. Por përkundër kësaj, ende nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me ankesën në të cilën është përfshirë edhe kallëzim penal ndaj ish-rektorit Fadil Millaku, shkruan Gazeta Insajderi.

    Një kallëzim penal është bërë nga studentë të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë ndaj ish-rektorit Fadil Millaku.

    Në të janë përfshirë një mori shkeljesh që pretendohet të jenë bërë nga Millaku.

    Gazeta Insajderi ka siguruar dokumente me prova të studentëve, sipas së cilave Millaku, dyshohet të jetë përfshirë në punësime të njerëzve me diploma të falsifikuara, punësime të mësimdhënësve pa arsimim përkatës, punësime partiake, klanore dhe familjare.

    Pretendohet se në mesin e të punësuarve ai ka punësuar renë e tij, në pozitën e zyrtares së lartë në nivel të universitetit ,mbesën si asistente ne Fakultetin e Biznesit, e motrën e gruas si asistente ne Fakultetin e Agrobiznesit si dhe djalin e axhës se vet si profesor në Fakultetin e Biznesit.

    Të gjitha këto akuza janë drejtuar në emër të ish-rektorit të Universitetit “Haxhi Zeka” , Fadil Millakut. Ai është kontaktuar nga Gazeta Insajderi lidhur me pretendimet e studentëve për përfshirje në këto afera, por edhe pse gazeta ka pritur më shumë se një javë ai nuk është përgjigjur.

    Vitin e kaluar studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, kishin ushtruar një kallëzim penal kundër rektorit të këtij Universiteti, Fadil Millakut.

    Ata kanë dorëzuar prova të argumentuara për kryerjen e veprës penale të “keqpërdorimit të detyrës apo të autoritetit zyrtar” dhe veprës penale “arkëtimi dhe pagesa e kundërligjshme”, ndaj Millakut por që sipas tyre faktet që kanë dorëzuar nuk janë marrë parasysh.

    Në ato prova që ka siguruar Gazeta Insajderi, janë të argumentuara me fakte se si Fadil Millaku ka bërë punësime familjarë të mbesës, motrës së gruas e resë së djalit.

    “Menjëherë pas marrjes se detyrës se Rektorit, pra rreth 15 muaj pas mbylljes se konkursit dhe 7 muaj nga aprovimi i recensionit negativ nga Senati i Universitetit, Fadil Millaku duke keqpërdorur pozitën e vet zyrtare, ndikoj ne formimin e një komisioni te ri vlerësues dhe hartimit të një recensioni pozitiv për mbesën e vet”.

    “Kryetar i këtij komisioni u emërua Husnia Bubulica ndaj te cilit policia dhe autoritetet e Universitetit të Pejës dhe atij të Prishtinës sapo kishin filluar hetimet për verifikimin e diplomës se tij. Në këto rrethana, profesori i shantazhuar e kishte shkruar raportin e ri vlerësues për “mbesën e Rektorit”, dhe te njëjtin e kishin firmosur dhe aprovuar edhe anëtarët tjerë te komisionit te kundërligjshëm vlerësues, Këshilli i Studimeve dhe Senati i Universitetit”, thuhet në raportin e siguruar nga Insajderi.

    Në këtë dokument thuhet se pas punësimit të kundërligjshëm të mbesës se vet, Fadil Millaku duke keqpërdorur serish detyrën dhe autoritetin e vet zyrtar, ka ushtruar ndikim të palejuar dhe në kundërshtim flagrant edhe me nenin 9 te Ligjit për Parandalimin e Konfliktit te Interesit duke ndikuar në punësimin e “ballduskës” se vet Shyhrete Kuka Muriqi.

    Ajo ishte punësuar si asistente në Fakultetin e Agrobiznesit.

    “Pastaj kjo asistente e afërt me gruan e Rektorit është dërguar edhe për studime jashtë vendit, duke ja siguruar vendin e punës – për te cilat veprime nuk ka qenë i njoftuar Dekani e as Këshilli i këtij Fakulteti”, thuhet në dokument. 

    Gjithashtu në raport thuhet se edhe në vitin 2019, Fadil Millaku ka ndikuar edhe në punësimin e resë se vet, (gruas së djalit të vet), FlorjanaZogaj. Ajo ishte akomoduar në administratën qendrore të universitetit, si zyrtare te lartë në Qendrën për Zhvillim të Karrierës.

    Denoncimet e profesorit ndaj Universitetit në Pejë

    Përveç studentëve, profesori universitar Kolë Krasniqi u është drejtuar edhe institucioneve më të larta të vendit me një denoncim duke renditur shqetësimet që sipas tij po e njollosin universitetin publik të Pejës.

    Në një prononcim për Gazetën Insjaderi, Krasniqi ka thënë se shkresat e tij, nuk janë proceduar për shkak të ndikimeve të grupeve të fuqishme që kanë ndikim në sistemin e drejtësisë e arsimit.

    “Disa shkresa i kam dërguar, mirëpo për shkak të ndikimeve klanore dhe kriminale nuk janë proceduar dhe kështu në interes të grupeve dhe individëve te paditur dhe te paarsimuar është lejuar rrënimi i vlerave universitare prapa këtyre individëve qëndrojnë klane dhe grupe te fuqishme qe kane ndikim ne sistemin e drejtësisë dhe te arsimit” është shprehur Krasniqi.

    I pyetur se a janë marrë parasysh ankesat e tij dhe a është thirrur nga ndonjë nga institucionet e adresuar, Krasniqi tha se prokuroria nuk e ka kontatkaur e as ministrja Nagavci.

    “Prokuroria Jo, ngase atje ishte ndikuar që të hedhet poshtë kallëzimi i bërë penal nga studentët dhe kështu te fshehën veprat penale. Nga ministria kisha vetëm mesazhe indirekte, e jo ndonjë thirrje”, tha ai për Insajderi.

    Krasniqi, thotë se ndjehet i tmerruar edhe nga qëndrimin indiferent nga Këshilli Kombëtarë i cilësisë, “inspektorati i arsimit me kanë njoftuar se atyre ju kanë marr kompetencat qe t’i hetojnë rastet ne universitete”, thotë ai.

    Në shkresën që Krasniqi ka shkruar ka hedhur dyshime edhe për disa diploma të falsifikuara.

    “Rektor Millaku, për mësimdhënës te lendeve penale, në vend të Fatos Hazirit, me studime adekuate master dhe të doktoratës Universitetin e Prishtinës, njohës i dy gjuhëve te huaja, me përvojë të lartë akademike, me punime profesionale dhe te botuara ne revistat e indeksuara sipas udhëzimit administrativ të MASHT-it, me monografi te botuar sipas rregullores se UHZ-së dhe me raport pozitiv te komisionit vlerësues dhe te publikuar sipas ligjit ne ëebfaqe te UHZ-së, e kishte punësuar Orhan Çekun, me studime master ne drejtimin financiar dhe me një doktoratë krejtësisht joadekuate te përfunduar ne Universitetin për Librari, Biznes dhe Teknologji Informative – që nuk ka asnjë barasvlerë me studimet juridike te asnjë vendi të Bashkimit Evropian e aq më tepër me studimet tona juridike – penale”, thuhet në shkresë.

    Ai hedh dyshime dilomat janë siguruar në këmbim të shumave nga 10 mijë deri në 15 mijë euro.

    “Dyshimi ne arsimimin e mirëfilltë të këtij kandidati është bazuar edhe në faktin përgjithësisht të njohur se sekserët e caktuar nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, qe disa vite me radhë janë duke ofruar diploma te doktoratës nga Universitetin për Librari, Biznes dhe Teknologji Informative në Bullgari, me çmim nga 10.000 deri ne 15.000 Euro, pa pasur nevojë kandidati qe te qëndroj me qellim studimi ne Bullgari apo te njeh gjuhen bullgare, ruse ose atë angleze”, tha ai.

    Sipas raportit të profesorit Krasniqi, dilomat janë marrë nga Ukraina e Bullgaria.

    “Master ne drejtimin financiar, “Dr. i Filozofisë” në një institut te panjohur në Ukrainë dhe “Dr. i Sigurisë Kombëtare” në Universitetin për Librari, Biznes dhe Teknologji Informative në Bullgari – pa qëndruar fare ne këto dy shtete me qellim studimi emërohet profesor i shkencave juridike – penale ne Fakultetin Juridik të UHZ në Pejë”.

    “Shpërndarja masive e diplomave joadekuate nga Ukraina dhe Bullgaria ne Kosovë përkatësisht dhënia e titujve akademik pa arsimimin përkatës të personave te përzgjedhur kryesisht me influence politike (qe mund te ndikojnë edhe ne nostrifikimin e tyre), padyshim se ka për qellim komprometimin dhe shkatërrimin e vlerave dhe të sistemit tonë akademik”, thotë profesori Krasniqi.

    Po ashtu në rapot shkruan edhe për punësimin e Petrit Nimanit për të cilin po ashtu pretendohet se është në kundërshtim me ligjin.

    “Në vitin 2020, Rektor Millaku ne bashkëveprim ne klanet e caktuara mafioze dhe politike dhe në kundërshtim flagrant me nenin 173 pika 1.1 te Statutit te Universitetit dhe nenin 7, pika 1.1 te Rregullores për procedurat përzgjedhëse te personelit akademik, e ka punësuar Petrit Nimanin, si mësimdhënës te lendeve administrative. Madje ky punësim është bërë edhe përkundër raportit te publikuar negativ nga komisioni vlerësues dhe argumentimit të faktit se i njëjti disponon me një doktoratë joadekuate dhe krejtësisht të pa barasvlershme me studimet tona juridike.Kandidati e kishte sjellë një dëshmi se ka doktoruar në “UniversityofLibraryStudiesandInformation Technologies” (Universiteti për studime bibliotekare dhe teknologji informative), i cili “universitet”, në asnjë vend të Bashkimin Evropian nuk njihet si i tillë por si një shkollë e lartë, e cila disponon me vetëm dy fakultete, dhe atë “FacultyofLibraryStudiesandCulturalHeritage” dhe “FacultyofInformationSciences””, thuhet në raport.

    Pa arsimim përkatës dhe me notën mesatare 6.42, emërohet profesor i të drejtës administrative ne Fakultetin Juridik

    “Dyshimi ne arsimimin e mirëfilltë të këtij kandidati është bazuar edhe në faktin përgjithësisht të njohur se sekserët e caktuar nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, qe disa vite me radhë janë duke ofruar diploma te doktoratës nga Universitetin për Librari, Biznes dhe Teknologji Informative në Bullgari, me çmim nga 10.000 deri ne 15.000 Euro, pa pasur nevojë kandidati qe te qëndroj me qellim studimi ne Bullgari apo te njeh gjuhen bullgare, ruse ose atë angleze”, thuhet në raport.

    Për të gjitha këto keqpërdorime te pozitave zyrtare dhe veprime degraduese në universitet, janë të njohura policia, prokuroria dhe autoritetet e mëparshme të MASHT-it/Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark