Bisera Çadllovska është e vetmja grua dirigjente në Maqedoni. Por, kjo nuk është e vetmja arsye për shkak të cilës ajo është e njohur. Karriera e saj e pasur, mjuzikëll Çikago i cili është mjuzikli i parë i interpretuar i licencuar në vend, si dhe shumë shfaqje të luajtura nën shkopin e saj të dirigjentes janë pjesë të gjërave që me të drejtë ia japin epitetin si dirigjente unikate.
Në një bisedë për Anadolu Agency (AA), Çadllovska kujton fillimet e saj, duke zbuluar se që nga lindja jeton me muzikën.
“Me muzikë merrem që në vegjëli. Në ditëlindjen time të parë gjyshja dhe gjyshi më dhuruan piano dhe ashtu filloi shoqërimi me muzikën. Nga mosha pesë vjeçare jam në shkollën fillore të muzikës, megjithatë jo me dëshirë që të bëhem pianiste por, më vonë u zhvillua dëshira tek unë që të bëhem dirigjente”, tregon dirigjentja Çadllovska, duke shtuar se ky profesion gjithmonë e ka fascinuar, për shkak të cilës, pas përfundimit të shkollës së mesme muzikore nuk kishte mëdyshje lidhur me vazhdimin e arsimit të saj.
Kështu, Çadllovska regjistrohet në klasën e dirigjimit të Akademisë Muzikore në Shkup dhe siç thekson prej këtu fillon gjithçka. Dirigjentët zakonisht përshkruhen si njerëz të cilët kanë koncentrim të madh, ndërsa natyra e punës së tyre është e tillë që qetësia dhe vetëkontrolli janë parakusht për kryerjen me sukses të të njëjtit.
“Është bukur të jesh dirigjent. Profesioni është i bukur, për mua nuk ka më të bukur. Të gjitha këto karakteristika që i numërova janë pjesë e përditshmërisë sonë, ka ditë që edhe nuk janë, megjithatë, puna është me të vërtetë e bukur”, thotë ajo.
Epiteti i gruas së vetme dirigjente në Maqedoni i vjen mirë, por thekson se kjo nuk është diçka e planifikuar, por shpreson se për dikë ndoshta do të hap rrugën për të ardhmen./Insajderi.com