Për punën jashtë orarit apo kujdestarive nuk po marrin kompensim të plotë, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kështu thuhet nga Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Mbrojtjes, ku vlerësohet se kjo mund të ndikojë edhe në motivimin e tyre.
“Nuk ka një procedurë të shkruar që specifikon se si kalkulohet puna jashtë orarit për tu kompensuar me ditë pushimi. Bazuar në të dhënat e analizuara shihet se FSK e aplikon dhënien e nga një dite pushim edhe në rastet kur ata kujdestarojnë me nga 24 orë me arsyetimin e mungesës së stafit”, thuhet në raport.
Madje nga ZKA thuhet se kjo mund të çojë edhe në padi gjyqësore, gjë që tashmë edhe është bërë nga disa prej pjesëtarëve të FSK-së.
“Besoj që Gjykata do të jep një vendim meritor lidhur me këto çështje. Se a është e fitueshme apo jo, pasi që kam analizuar bazën ligjore është e drejtë e tyre të kërkojnë, besoj që Gjykata do të jep një vendim meritor për këtë çështje dhe si profesionist besoj që këto çështje janë të fituara”ka thënë Zahir Hamza, avokat i disa pjesëtarëve të FSK-së.
E nga Ministria e Mbrojtjes, përmes një përgjigje me shkrim i thanë televizionit se e kanë pranuar një raport të tillë por që trajtimi i tij kërkon kohë.
“Meqenëse Ligji për Pagat në Sektorin Publik, ashtu si dhe Rregullorja (QRK) Nr. 02/2020 për Pagat, Shtesat Mbi Pagë dhe Kompensimet e tjera në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, respektivisht Neni 13 i kësaj rregullore rregullon kompensimin e pjesëtarit të FSK-së për punën jashtë orarit, punën me ndërrime, gjatë ditëve të festave dhe ditëve tjera, që është pushim me ditë të lira brenda afatit prej 60 ditësh me aprovimin e udhëheqësit të drejtpërdrejtë të pjesëtarit, kjo çështje në aspektin ligjor është e qartë vetëm kërkon trajtim në kohë, andaj besojmë në implementim nga ana e akterëve përgjegjës të paracaktuar sipas rregullores”, thuhet nga ministria për Tëvë1
Kurse, se kjo ndikon edhe në motivimin e ushtarëve e thotë edhe koloneli në pension i FSK-së, Hysen Gecaj.
“Sado që ata e kanë për krenari që t’i shërbejnë popullit të tyre, megjithatë ata kanë familje, kanë nevojat të përditshme financiare për fëmijët e tyre, familjet e tyre, dhe një kompensim i tillë është i nevojshëm sepse për kohën derisa ata janë në shërbim përveç rrezikshmërisë e cila parashihet që të jetë në vendin e punës, ata janë të ndarë edhe prej familjes”, thotë Gecaj.
Sipas raportit të ZKA-së,, Ministri duhet të rishikojë rregulloret aktuale dhe të sigurisë një rregullim të qartë për këto kompensime në përputhje me legjislacionin në fuqi.